Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka reaguar pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK nga Shoqatat e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, lidhur me mosekzekutimin e pagave të muajit gusht për magjistratët.
Në një reagim në rrjetet sociale, Malaj thotë se kallëzimi është bërë ndaj tij si titullar i Ministrisë së Financave, Sekretarit të Përgjithshëm dhe drejtorëve të Thesarit në të gjithë vendin, pasi kanë refuzuar të ekzekutojnë pagat e reja pa miratimin e ligjit në Kuvend.
“Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!”, shkruan Malaj, duke shtuar se Ministria e Financave ka refuzuar të hapë dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë pa vendim të Parlamentit një shumë të konsiderueshme parash si shtesë page për gjyqtarët dhe prokurorët.
Ministri thekson se çështja e pagave do të adresohet më 17 shtator, kur pritet të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative për të vepruar.
Ai shton se kërkesa për rritjen e pagave do të sillnin një efekt shtesë në buxhetin e shtetit prej rreth 40 milionë eurosh në vit, ndërsa magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro.
Reagimi i ministrit Petrit Malaj: Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!
Sot, në Ministrinë e Financave u depozitua një kallëzim penal për mua si titullar i institucionit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e thesarit në të gjithë Shqipërinë.
Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të Parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët.
Nuk dua të bëj asnjë polemikë me askënd dhe as të risqaroj pozicionin e Ministrisë së Financave, ndërkohë që është thënë publikisht nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e Parlamentit, se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit.
Por, kjo nuk i ka penguar përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që të përshkallëzojnë konfliktin me ekzekutivin duke nënshkruar një kallëzim penal që do ta marrë me siguri historia.
Ndërkohë unë sot dua t’u bëj me dije qytetarëve sa kushton kërkesa e kallzuesve të nderuar, sipas shkallës së pagave:
Gjyqtar i Shkallës së Parë
Është: 376,381 Lekë
Kërkohet: 567,421 Lekë
Gjyqtar i Shkallës së Dytë
Është: 388,927 Lekë
Kërkohet: 586,335 Lekë
Gjyqtar i GJKKO
Është: 401,473 Lekë
Kërkohet: 605,350 Lekë
Efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Por nuk mbyllet këtu.
Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro.
Ndërkohë u them drejtorëve të Thesarit në të gjithë Shqipërinë dhe Sekretarit të Përgjithshëm, që sot u kallëzuan së bashku me mua, se duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji.
KALLEZIMI I GJYQTAREVE DHE PROKUROREVE
Shoqatat e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve kanë depozituar një kallëzim në SPAK lidhur me mosekzekutimin e pagave për muajin gusht. Ata kërkojnë që organi i akuzës të hetojë rrethanat e krijuara dhe të identifikojë personat që kanë marrë apo zbatuar vendimmarrjen që ka sjellë mosdhënien e pagave për muajin gusht.
Në kallëzim, theksohet se situata nuk prek vetëm një magjistrat, por një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh në të gjithë vendin.
Gjyqtarët sqarojnë gjithashtu se kallëzimi penal nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e përllogaritjes së pagave, por hetimi në lidhje me ligjshmërinë e veprimeve që shkaktuan ngërçin në fjalë.
“Paga e magjistratit nuk përbën vetëm kundërshpërblimin financiar për ushtrimin e funksionit. Ajo është pjesë e statusit kushtetues të magjistratit dhe një garanci institucionale e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të ushtrimit të pavarur të funksionit të prokurorit.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Në këtë kuptim, mosmarrëveshjet për interpretimin ose mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të zgjidhen nëpërmjet privimit të magjistratëve nga paga për punën e kryer.
Prandaj, nisur nga mënyra se si është realizuar mosekzekutimi i urdhërpagesave, numri subjekteve të prekura, natyra e së drejtës së cenuar, ekzistenca e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe e akteve të organeve kushtetuese të qeverisjes së sistemit të drejtësisë krijojnë nevojën e pådiskutueshme për kryerjen e një hetimi të plotë e të gjithanshëm të çështjes, për të vënë përpara përgjegjësisë personat përkatës”, thuhet ne kallezim.
Ngërçi u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik formulën e re të pagave për magjistratët, në përputhje me kërkesën e Gjykatës Kushtetuese.
Pas skadimit të afatit, KLGJ dhe KLP vlerësuan se kishin detyrimin të zbatonin drejtpërdrejt vendimin e gjykatës dhe vendosën një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë që ishte më parë, si dhe shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Megjithatë, Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përgatitura mbi bazën e rritjes së re. Ministria argumentoi se përcaktimi i formulës së pagave është në kompetencën e Kuvendit dhe kërkoi që listëpagesat të riktheheshin duke përdorur metodologjinë e mëparshme.
Për pasojë, pagat e muajit gusht nuk janë ekzekutuar për një pjesë të konsiderueshme të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë jo vetëm gjyqtarë dhe prokurorë, por edhe punonjës të administratës së gjykatave dhe prokurorive.
The post U kallëzua në SPAK nga gjyqtarët për bllokimin e pagave, reagon ministri Malaj: Refuzuam të hapim dyert e Thesarit pa marrë miratimin në Parlament! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



