Gjykata e Apelit e Bolonjës ka ulur nga 17 në 15 vite dënimin për ish-të dashurin e Aurora Tilës, 13-vjeçares që humbi jetën pasi ra nga ballkoni i banesës më 25 tetor 2024, në Piacenza të Italisë.
I riu ishte 15 vjeç në kohën e ngjarjes dhe po gjykohet në sistemin e drejtësisë për të miturit. Vendimi për uljen e dënimit ka shkaktuar reagim të fortë nga familja e viktimës.
Avokati i nënës së Aurorës, Emilio Malaspina, tha se familja është veçanërisht e pakënaqur me kërkesën për uljen e dënimit, ndërsa e cilësoi 13-vjeçaren si viktimën më të re të femicidit në Evropë.
Reagimi më i ashpër ka ardhur nga nëna e saj, Morena Corbellini, e cila ka kundërshtuar vendimin e gjykatës.
“Atëherë presim që shkalla e vrasjeve të femrave të ulet? Ato vetëm do të rriten, dhe të miturit gjithashtu do të vrasin gjithnjë e më shumë, derisa vendi të ndërhyjë me forcë dhe në mënyrë korrekte. Gjërat vetëm sa do të përkeqësohen; dënimet jepen lehtë”, është shprehur ajo.
Familja e Aurorës kërkon një qasje më të ashpër ndaj rasteve të dhunës ndaj grave dhe të miturve, ndërsa nëna e viktimës ka kërkuar ndërhyrje institucionale përballë rasteve të femicidit.
The post Vrau 13-vjeçaren shqiptare duke e hedhur nga ballkoni, gjykata ul dënimin e ish-të dashurit të Aurora Tilës! Nëna: Gjërat po përkeqësohen, shteti të ndërhyjë! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



