Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Programin Kombëtar të Strehimit, që sipas tij synon të mbështesë kryesisht shtresat më vulnerabël të shoqërisë për të patur një banesë, por edhe familjet me volum të ardhurash mesatare.
Kreu i Qeverisë tha se objektet e konfiskuara nga shteti për arsye paligjshmërie, do të përshtaten dhe strukturohen për t’u përdorur si banesa sociale me qira, nga çiftet e reja kryesisht.
“Përshtatje të objekteve shtetërore ose të objekteve të konfiskuara dhe këtu dua të përsëris se kemi konfiskuar jo pak dhe do të konfiskojmë çdo objekt që do të shkelë rregullat e përcaktuara në ligj për lejet e ndërtimit dhe pagesat e qirasë dhe po ashtu partneritetin publik privat. Do të përdorim të gjithë instrumentet për të garantuar një ofertë shumë të gjerë nga shteti që ata mund të kenë dhe do të marrin banesë sociale me qira”,- tha Rama.
Numri një i Ekzekutivit tha se një tjetër mundësi e Programit Kombëtar të Strehimit është subvencionimi i kredisë për banesat me kosto të ulët.
“Pastaj vjen te banesa me kosto të ulët, që lidhet me subvencionin nga ana e shtetit të kredisë duke pasur parasysh që banesa e kredituar, të hyjë në kategorinë e banesave me kosto të ulët dhe për këtë ka një kategorizim të mirëpërcaktuar me kritere të mirëpërcaktuara”,- tha Rama.
Më tej, shefi i Qeverisë deklaroi se grupet me mundësi të kufizuara ekonomike në vend, do të kenë mundësi të përfitojnë nga Programi Kombëtar i Strehimit për të përmirësuar banesat e tyre.
“Pastaj vijmë te përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël dhe një program të veçantë infrastrukture në zonat informale dhe për të adaptuar banesa të caktuara si banesa sociale. Programi ka një zhvillim të ri me zhvillimin e zonave të strehimit dhe këtu nuk flasim vetëm për banesa sociale në kuptimin për njërëzit më në nevojë, por për të gjitha shtresat e shoqërisë. Nuk duam të ndërtojmë një bllok banimi vetëm për njerëzit e varfër, por duam të kemi blloqe banimi të organizuara për të gjitha shtresat. Ndërkohë që më të varfërit kanë mbështetjen për t’u strehuar aty, të kamurit për të blerë aty”,- tha Rama.
Një fond të posaçëm banesash për strehim të përkohshëm do të ketë edhe për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore, si dhe banesa të veçanta për personat me aftësi të kufizuar.
Sipas Ramës, nga Programi Kombëtar i Strehimit do të përfitojnë të paktën 4 mijë çifte të reja.
Kryeministri u zotua se deri në vitin 2027 do të jepen 4 mijë kredi të buta për çiftet e reja, ndërsa aplikimet do të nisin në nëntor të vitit 2026. Sipas Ramës, 2 mijë kredi do të jenë me 0% interes për apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro, ndërsa 2 mijë të tjera me 3% interes për apartamente mbi 60 mijë euro. Ai tha se tavani i të ardhurave për çiftet do të rritet në 280 mijë lekë neto, ndërsa kreditë do të variojnë nga 12.5 deri në 20 milionë lekë. Programi parashikon gjithashtu 3 mijë subvencione qiraje për çiftet e reja dhe emigrantët që kthehen në Shqipëri, ku për qiratë deri në 400 euro shteti do të mbulojë 200 euro. Rama deklaroi se objektivi është që deri në vitin 2030, 50 mijë familje të kenë një shtëpi.
The post Strehimi, Rama: Do japim 4000 kredi të buta në 2027 për çiftet e reja! Shtëpi për personat me aftësi të kufizuara, strehim i përkohshëm për të prekurit nga fatkeqësitë natyrore! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



