Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, mori pjesë në promovimin e “Doracakut për zbatimin e masës së paraburgimit përmes prizmit të nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat Njeriut.
Në fjalën e tij, Ministri Shasivari theksoi se doracaku vjen në një moment veçanërisht të rëndësishëm dhe paraqet një mjet të rëndësishëm praktik për avancimin e praktikës gjyqësore të prokurorisë, si dhe për zbatimin konsekuent të standardeve evropiane në fushën e të drejtave të njeriut.
“Kur flasim për paraburgimin, flasim për një ndër pikat më të ndjeshme të procedurës penale – moment kur shteti kufizon një ndër të drejtat më themelore të njeriut – të drejtën e lirisë”, theksoi Shasivari.
Ai theksoi se paraburgimi nuk guxon të zbatohet në mënyrë automatike dhe as të paraqesë zëvendësim të aktgjykimit, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e respektimit të prezumimit të pafajësisë.
“Paraburgimi nuk guxon të bëhet instrument i automatizmit. Nuk guxon të shndërrohet në zëvendësim për aktgjykimin. Dhe më e rëndësishmja – njeriu nuk guxon të trajtohet si fajtor para se të merret vendim i formës së prerë për fajësinë e tij”, theksoi Ministri i Drejtësisë.
Privimi nga liria mund të arsyetohet vetëm kur ekziston një arsye konkrete, reale dhe e përcaktuar individualisht, si dhe kur qëllimi i procedurës nuk mund të arrihet me një masë më të butë.
„Çdo vendim për paraburgim duhet t’i përgjigjet një pyetjeje thelbësore: Pse pikërisht ky person, pikërisht tani dhe pikërisht në këto rrethana, duhet të privohet nga liria?“, tha Shasivari.
Ministri theksoi se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjet kundër Maqedonisë së Veriut, si dhe nevojës për vlerësim të vazhdueshëm të arsyeshmërisë së paraburgimit.
Sipas ministrit, sundimi i ligjit nuk matet vetëm përmes efikasitetit të shtetit në ndjekjen e veprave penale, por edhe përmes mënyrës se si shteti vepron kur kufizon lirinë e njeriut.
Doracaku do të jetë një mjet i dobishëm për gjykatësit, prokurorët publikë, avokatët dhe të gjithë profesionistët juridikë, duke kontribuar për siguri më të madhe juridike, arsyetime më cilësore dhe zbatim të harmonizuar të standardeve evropiane.
Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë t’i mbështesë iniciativat e orientuara drejt avancimit të sistemit gjyqësor, forcimit të kapaciteteve profesionale dhe mbrojtjes konsekuente të të drejtave të njeriut.
“Është përgjegjësi e përbashkët e jona të ndërtojmë një gjyqësor në të cilin qytetarët do të kenë besim dhe sistem në të cilin të drejtat e njeriut nuk do të jenë vetëm të shënuara në ligje, por do të zbatohen në mënyrë konsekuente në praktikë. Sepse drejtësia nuk qëndron vetëm në marrjen e vendimit. Drejtësia qëndron edhe në mënyrën se si është marrë ai vendim”, porositi Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.








