Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, diskutuan tensionet rajonale dhe marrëdhëniet dypalëshe gjatë një takimi, në kuadër të samitit të tetë të Forumit të Vendeve Eksportuese të Gazit (GECF) në Moskë, transmeton Anadolu.
Gjatë fjalëve hyrëse në takim, Putin e cilësoi samitin si “mjaft të suksesshëm” dhe tha se takimet dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës ishin “gjithashtu shumë të dobishme”.
“Siç e dini dhe sapo kemi diskutuar veçmas për situatën në rajon… kjo është padyshim një çështje shqetësuese, jo vetëm për ne, por veçanërisht për ne, duke marrë parasysh se bashkëpunojmë ngushtë me Iranin. Jemi fqinjë, ndajmë shumë interesa të përbashkëta dhe përpiqemi t’i ndjekim të gjitha ato. Shpresojmë që situata të zhvillohet në një drejtim pozitiv”, tha Putin duke folur për situatën në rajon.
Presidenti rus tha se Moska po i përmbushte detyrimet e saj në kuadër të të gjitha projekteve të përbashkëta me Teheranin.
Ai tha se vëllimi i tregtisë dypalëshe u rrit me 10,4 për qind gjatë tetë muajve të parë të vitit, ndërsa vazhdonin punimet e ndërtimit në Centralin Bërthamor të Bushehr-it.
“Jemi gjithmonë të kënaqur t’ju mirëpresim në Moskë, në Rusi, i dashur zoti president. Jemi të kënaqur që kemi mundësinë të bisedojmë për çështjet aktuale dhe të shkëmbejmë pikëpamje mbi agjendën tonë dypalëshe”, tha Putin.
Pezeshkian, nga ana e tij, e falënderoi Putinin për mikpritjen dhe i cilësoi kontaktet mes tyre si “gjithmonë shumë produktive”.
“Ju na ofroni mbështetje si në çështjet politike, ashtu edhe në ato ekonomike. Jemi vërtet mirënjohës për përkrahjen dhe ndihmën tuaj”, tha Pezeshkian.
Ai gjithashtu u pajtua me vlerësimin e Putinit se bashkëpunimi tregtar mes dy vendeve është “në rritje dhe zhvillim”.
Pezeshkian tha se “hapat agresiv të ndërmarrë nga amerikanët në rajon” kishin dëshmuar nevojën për të punuar drejt krijimit të një bote shumëpolare, të cilën e cilësoi si “të dobishme për të gjithë ne”.
“Më duket se mund të punojmë për të gjitha problemet që ekzistojnë në rajonin tonë. Jemi në gjendje t’i zgjidhim të gjitha çështjet tona, të gjitha çështjet rajonale, pa SHBA-në”, tha ai.
“Nuk ka nevojë të mbështetemi te ndihma amerikane në rajon, një pikëpamje me të cilën disa vende të rajonit tonë mund të mos pajtohen, por në realitet kjo thjesht nuk është kështu”, shtoi ai.
Më herët, Putin dhe Pezeshkian mbajtën fjalime në samitin e tetë të Forumit të Vendeve Eksportuese të Gazit.
MARKETING
<!–



