Një spektakël mbresëlënës me dronë u zhvillua në qiellin e Nju Jorkut mbrëmjen e së mërkurës, më 9 shtator, në prag të 25-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.
Plot 2.977 dronë formuan imazhin e Kullave Binjake, duke përcjellë një mesazh simbolik. Secili prej dronëve përfaqësonte një jetë njerëzore të humbur atë ditë, 25 vite më parë.
Sipas medias amerikane ABC7NY, vepra artistike me titull “2.977 Drita mbi portin e Nju Jorkut” përfshinte 2.977 drita, të realizuara përmes dronëve, të cilat u ngritën mbi port dhe rikrijuan siluetën e Kullave Binjake në përmasa reale arkitekturore.
Sipas organizatorëve, ky spektakël u krijua në bashkëpunim me anëtarë të komunitetit të prekur nga ngjarjet e 11 Shtatorit, mes tyre familjarë të viktimave, të mbijetuar dhe pjesëtarë të ekipeve të para të ndërhyrjes.
Vepra u prezantua përpara ceremonisë përkujtimore të së premtes dhe u zhvillua si një aktivitet publik falas, me fokus te reflektimi dhe uniteti.
Organizatorët thanë se spektakli ajror u konceptua nga një grup njerëzish, mes tyre Brenda Berkman, ish-pjesëtare e ekipeve të para të ndërhyrjes së Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut (FDNY) dhe artiste; Tim Brown, pjesëtar i ekipit të parë të ndërhyrjes së FDNY-së në vitet 1993 dhe 2001; Terry Strada, presidente e organizatës “9/11 Families United” dhe e veja e Tom Stradës; Jim Smith, bashkëshortja e të cilit, oficerja e Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD), Moira Smith, humbi jetën në sulme; si dhe Genevieve Schiller, vajza e Steven Schiller.
The post Plot 25 vite nga sulmi i 11 shtatorit, 2977 dronë rikrijojnë Kullat Binjake mbi New York në kujtim të viktimave appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



