Një grua palestineze u vra dhe pesë persona të tjerë u plagosën sot në sulmet izraelite që shënjestruan disa zona në Rripin e Gazës, pavarësisht armëpushimit në fuqi, raporton Anadolu.
Një burim mjekësor në spitalin “Al-Shifa” tha për Anadolu se një grua palestineze u vra dhe bashkëshorti i saj u plagos rëndë në një sulm ajror izraelit që shënjestroi shtëpinë e tyre në rrugën “Al-Wehda” në qytetin e Gazës.
Korrespondenti i AA-së, duke cituar dëshmitarë, raportoi se një helikopter izraelit lëshoi të paktën një raketë drejt shtëpisë së tyre. Më herët, tre palestinezë, përfshirë një grua, u plagosën në sulmet ajrore izraelite që shënjestruan dy shtëpi të evakuuara në lagjen Shujaiya (Shuxhaije) në lindje të qytetit të Gazës, sipas dëshmitarëve dhe burimeve lokale.
Ndërkohë, artileria izraelite bombardoi zonat në lindje të lagjeve Shujaiya dhe Zeitun në qytetin e Gazës ndërsa dronë izraelitë katërhelikë bombarduan shtëpi.
Në Gazën qendrore, burime lokale thanë se një dron izraelit hodhi një bombë në lindje të kampit të refugjatëve Bureixh ndërsa automjetet ushtarake të vendosura në lindje të kampit hapën zjarr të dendur në drejtim të shtëpive palestineze. Nuk u raportua për viktima.
Në pjesën jugore të Rripit të Gazës, një burim mjekësor tha se një grua palestineze u plagos nga një plumb në shpinë, kur automjetet e ushtrisë izraelite hapën zjarr të dendur në zonën Kizan Abu Rashwan, në jug të Khan Younisit.
Shkeljet izraelite të marrëveshjes së armëpushimit të tetorit 2025 kanë shkaktuar vdekjen e 1.422 palestinezëve dhe plagosjen e 4.996 të tjerëve, njoftoi të martën Ministria e Shëndetësisë e Gazës.
Që nga 8 tetori 2023, lufta gjenocidale e Izraelit në Rripin e Gazës ka vrarë më shumë se 74 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 175 mijë të tjerë ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është shkatërruar.
The post Sulmet izraelite vrasin një grua palestineze dhe plagosin pesë të tjerë në Gaza appeared first on TV-SHENJA.


