
Një histori e pazakontë dashurie ka dalë në dritë nga shqiptarja Tiana Krasniqi, e cila ka rrëfyer se si u dashurua dhe u martua me James Broadnax, një të dënuar me vdekje në Teksas, i cili u ek*ekutua pak pasi u martua me Tianën.
Krasniqi rrëfen se historia e tyre filloi në vitin 2024, kur ajo po përgatitej për provimin e fundit të masterit në drejtat e njeriut.
Për temën e diplomës së saj, ajo zgjodhi të shkruante mbi sistemin e dënimit me vdekje në Teksas. Për të mbledhur informacion, ajo filloi një korrespondencë me email me James Broadnax, i cili ndodhej në radhën e të dënuarve me vdekje.
“Fillimisht ishte komunikim profesional. Pastaj kaloi në telefonata të përditshme. Pas tre muajsh kuptuam se midis nesh kishte diçka më shumë se thjesht një temë diplome”, tha Tiana.
Ajo u tërhoq veçanërisht nga interesimi i sinqertë i Brodnx-it për jetën e saj, për kulturën shqiptare, shkollimin dhe respektin e vazhdueshëm që ai tregonte ndaj saj.
Pas dy vjet e gjashtë muaj komunikim intensiv, takimi i parë fizik e konfirmoi lidhjen e tyre.
Pavarësisht situatës së vështirë, ata vendosën të martohen. Ceremonia u zhvillua brenda burgut, përmes xhamit.
“Ora 5:30 e kishim terminin e martesës. Ishte e gëzueshme, por edhe pak e mërzitshme sepse e dinim që ai kishte një datë për ekz*kutim. Ishte e gëzueshme që më në fund u martuam, sepse kishim një procedurë shumë të gjatë, gati një vit. Ishte një ditë shumë e bukur. Kemi qarë të dy. Ka qenë gëzim, por edhe trishtim sepse e dinim çfarë na priste dhe kishim ende luftën ligjore përpara”, shprehet Tiana.
Pas një beteje ligjore të gjatë, James Broadnax u ekz*kutua. Tiana ishte e pranishme gjatë orëve të fundit. Ajo përshkroi momentet e fundit si jashtëzakonisht të rënda: “Ai qante dhe thoshte se nuk ishte gati të vdiste, se nuk e kishte kryer krimin për të cilin ishte dënuar. Më tha: ‘Mos u dorëzo. Tregoni botës që unë jam i pafajshëm’”.
Sipas rrëfimit të saj, James Broadnax insistonte se ishte i pafajshëm dhe kishte marrë fajin mbi vete për të mbrojtur djalin e tezës së tij, i cili – sipas tij – kishte lënë gjurmë ADN-je në vendin e krimit.
Tiana thekson se ADN-ja e James Broadnax-it nuk u gjet as në armë, as në trupat e viktimave të grabitjes së vitit 2008.
“Unë kurrë nuk do të dorëzohem. Do t’i tregoj botës që ai ishte i pafajshëm”, deklaroi Tiana në fund të intervistës, duke shtuar se historia e tyre ka sjellë paragjykime të forta nga shoqëria dhe madje nga familja e saj, me të cilën nuk ka kontakt prej më shumë se 15 vitesh”, tha ajo.


