Hyrja në këtë godinë shkollore mbahet në mbështetës metalik. Ka pëlcitur shtylla e hyrjes, klasat kanë mure të plasaritura dhe llaç të rrënuar. E këtillë është pasqyra e Shkollës fillore “Vëllazërim-Bashkimi” në Ohër pas tërmetit të fuqishëm që ndodhi në fillim të këtij muaji. Për shkak të dëmeve të mëdha, është vënë në pikëpyetje fillimi i vitit të ri shkollor në shtator.
“Shkolla fillore ‘Vëllazërim-Bashkimi’ në Ohër është ndërtuar në vitin e largët 1948. Kjo është shkolla e vetme fillore ku mësimi në Ohër zhvillohet edhe në gjuhën shqipe”.
Janë shembur edhe shkallët në hyrjen e godinës, janë dëmtuar muret e sallës së sportit, derisa pesë oxhaqe në çatinë rrinë zvarrë. Drejtori Muarem Doko për Alsat shprehet se i janë drejtuar komunës nga e cila kanë kërkuar t’u mundësojë që në afat më të shpejtë të mundshëm të sanohen pjesët e dëmtuara për shkak të cilave mund të cenohet siguria e nxënësve dhe të punësuarve, por së paku deri tani nuk ka kurrfarë aktivitetesh. Në terren ka dalë edhe komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve.
Deri te komisioni komunal për vlerësimin e dëmeve nga tërmeti në Ohër janë dorëzuar rreth 900 kërkesa për dëmshpërblime nga qytetarët, derisa kopshti për fëmijë “Biljana”, ku gjithashtu kishte dëmtime të konsiderueshme, ende është i mbyllur.
Miki Trajkovski

