Azam DAUTI
Tashmë, në Maqedoni dhe më gjerë, temë kryesore është kush do të formojë qeverinë, si dhe cilat parti do ta përbëjnë atë?! Në shikim të parë numrat e deptutetëve (VMRO 51, LSDM 49, BDI 10, BESA 5, Aleanca 3 dhe PDSH 2) nuk i japin komoditeti asnjërës palë. Mirëpo, në aspektin e platformave politike, është shumë e qartë, se kush me kë duhet ta bëj qeverinë. Pra, nëse janë platformat politike, ata që i bashkojnë subjektet politike, nuk ka dilemë se koalicioni qeveritar është shumë i qartë dhe proevropian. Mirëpo, duke pasur parasysh që në shqyrtimin e ankesave të LSDM-së dhe BESËS në KSHZ, të cilat nuk u përfillen fare, krijohet përshtypja se partitë shqiptare BDI dhe PDSH po favorizojnë qeveria “diktatoriale” me VMRO-në. Nuk e di sa janë të vetëdijshme këto parti, se hyrja e tyre me lidershipin e VMRO-së, ndaj të cilit me shokë ka me dhjetëra lëndë të ngritura nga prokurorja speciale, mund të jetë shumë e dëmshme për elektoratin e tyre, e sidomos edhe për vetë partitë e tyre. Por dhe nuk ka logjikë që të presësh, që kushtin për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe ta presish nga subjekti, i cili gjithë fushatën frikësonte elektoratin e vet pikërisht nga dygjuhësia. Ky koalicion do të instalonte modelin udhëheqës të shtetit si ajo e kryetarit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko. Ai, që nga viti 1994 kur për herë të parë u bë president i Bjellorusisë, me akrobacione demokratike (referendume për zgjatjen e mandateve nga 4 në 7 dhe moskufizim të mandateve të kryetarit), sot e kësaj dite udhëheqë me këtë shtet dhe njihet si diktatori i fundit në Evropë, që ka lidhshmëri të fuqishme me shtetin rus. Kjo qeveri e formuar dhunshëm nga “mllefi” i VMRO-së, do të orientohet në ngulfatjen edhe më të madhe të lirisë së shprehjes, lirisë së veprimit dhe i tërë angazhimi i saj do të jetë “pastrimi i hesapeve” me kundërshtarët politik, në stilin e “burgosjes së Boshkovskit” në vitin 2011-të. Se në cilin drejtim shkon ky “mllef” i VMRO-së, që në vakumin presidencial të Amerikës, dëshiron të përfitoj, kinse nga “mosinetresimi” amerikan për Maqedoninë u pa edhe në protestat joqytetëruese para KSHZ-së, ku shahet ambasadori Bejli e ndërkaq lavdërohet presidenti Tramp. Gjë e cila për njohësit marrëdhënieve ndërkombëtare, paraqet çmenduri politike “përfitim në mjegull”, të cilën nuk e kuptojnë ata që e shkruan atë pankartë të tillë. Nikolla Gruevski dhe VMRO-ja e tij, duke sharë shqiptarët, evroamerikanët, opozitën dhe gjithçka tjetër jovmroiste, rrezikon seriozisht ekzistencën e vet, që të shpallet organizatë terroriste në arenën ndërkombëtare. Madje, nuk pinë ujë as arsyetimi i tyre se i kanë 450 mijë vota, sepse në anën tjetër i kemi 750 mijë vota që i kanë votuar partitë e tjera. Mirëpo, këtë fakt ata nuk e bëjnë hesap, sepse përllogaritjet e tyre janë të fokusuar vetëm në 16 mijë votat që i kanë më shumë se LSDM-ja. Pikërisht, kjo dëshmon atë, se të menduarit e tyre është rezonim diktatorial dhe zhvlerësues ndaj të tjerëve. Me këtë, ata dëshmojnë se duan të nëpërkëmbin rregullat demokratike, që pas zgjedhjeve numrat e deputetëve, janë ata që e përbëjnë shumicën parlamentare dhe qeveritare. Kjo, është tendencë e qartë hakmarrëse, e tyre ndaj të gjithë atyre, që i shan vazhdimisht. Madje, si mund të paramendoj dhe parashikoj se me BDI-në dhe PDSH-në, të bëj qeveri, kur elektoratin e tyre shqiptar vazhdimisht dhe publikisht e shan në këto protesta?! Nuk e kam të qartë, si i llogaritë ata si “partnerë të sigurtë”, që nuk mund ta refuzojnë hyrjen e tyre me të?! Fokusimi i saj i qartë në dobësimin e LSDM-së, dhe mosbërja hesap e partive shqiptare, që i parashikon si e koalicionit të vet, i ngjan shumë metodave të mbajtjes së pushtetit të kryetarit Aleksandër Lukashenko nga Bjellorusia. Këtë krahasim e bëjmë me arsyetimin plotësues, që Nikolla Gruevski, për shkak të reagimeve të partive shqiptare dhe opinionit të jashtëm, nuk do të bëhej kryeministër i tashëm, por do të garonte në vitin 2018 për kryetar shtetit, ku parasheh t’i fitoj zgjedhjet, e më pas njësoj si Lukashenko të kërkonte zgjerimin e kompetencave dhe ingerencave të kryetarit, të tipit të sistemit presidencial. Megjithatë, nëse partitë shqiptare mendojnë arsyeshëm, tash e kanë mundësinë historike, që ta ndalojnë projektin e këtillë, që e harton “kompozitori” në Moskë, “koreografi” në Zimbabve (Gruevski disa here është takuar me diktatorin Mugabe), “dirgjenti” në Beograd dhe e realizon “orkestri” në selinë e VMRO-së, me “valltarët” që e luajnë vallen më të re “federalizim dhe dygjuhësi jo” me jehonën që tingëllon zhurmshëm “dhoma gazi për shqiptarët”! Në vend të kësaj simfonie të panatyrshme për qytetarët e Maqedonisë (maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, boshnjakë, vllehë, romë etj) duhet të pranohet projekti që e harton “kompozitori” në Uashington, “koreografi” në Berlin, “dirgjenti” në Tiranë dhe orkestrina multietnike në Kalanë e Shkupit (LSDM dhe partitë Shqiptare), ku luhet vallja “Federalizim jo, Konfiskim po” me jehonën që dëgjohet qartë “barazi gjuhësore, kulturore dhe ekonomike”! Vallja e dytë “multietnike”, mund të jetë e rëndë për valltarët amatorë, mirëpo nëse e dijmë që kemi “kompozitor” profesional nga Uashingotni dhe “koreograf” nga Berlini, besoj që do t’ia dalin ta luajnë me sukses.
BDI-ja dhe PDSH-ja, kanë një arsye më shumë të hyjnë në këtë valle, sepse VMRO-ja që nga 2006-ta e këndej, vazhdimisht është përpjekur, që shqiptarëve t’ua nxjerrë për hunde fitoren e 2001-it. Prandaj, luante me përkrahjen që ia jepnin BDI-ja dhe PDSH-ja, duke i diskredituar plotësisht ato me refuzimin sistematik të projekteve të tyre parazgjedhore. Është pikërisht kjo, një ndër arsyet që solli deri te një rënie drastike të BDI-së dhe PDSH-së në zgjedhjet e fundit. BDI dhe PDSH nuk e kanë më luksin edhe për një koalicion të tillë me VMRO-në, sepse po e bënë këtë, kjo mund t’u sjellë edhe fundin e tyre.
Pavarësiuht nga rezultati përfundimtar se a do të mbetet VMRO-ja me 51, apo do të barazohen me LSDM-në, VMRO-ja do ta kontestojë nga aspekti demokratik koalicionin e ri që do ta formonte midis LSDM-së me partitë shqiptare, sepse ajo i ka 16 mijë vota më pak se ajo. Por, kjo mund të jetë pozitive për VMRO, që të shpëtojë nga akuza ndërkombëtare si organizatë ekstremiste, sepse gjatë këtij “mllefi” që dëgjuam ditëve të fundit, ajo i ka gjasat reale për një cilësim të tillë ndërkombëtar. Aq më shumë, që si opozitë, ajo do të mund të kthjellet, nëse timonin e saj e marrin njerëz të tjerë, të tipit të “treshit të Amsterdamit”!
Në rast se nuk bëhet një koalicion mes partive shqiptare dhe LSDM-së, atëherë një opsion tjetër shumë diskutabil, do të ishte një koalicion i zgjeruar i të gjitha (ose gati të gjitha) partive me atë që kjo qeveri të ketë mandat më të gjatë se 6 muaj, me një ndikim të jashtëm, gati se protektoral, ku do të detektoheshin dhe zgjidheshin të gjitha çështjete e hapura sistemore, juridike, ndëretnike, ndërkombëtare dhe politike vendore. Megjithatë, kjo qeveri nëse lejon që ndikimi VMRO-ist, të ketë rolin kryesor në të, do të ndodh e njejta gjë si me Prokuroinë Speciale, e cila po i ndjek të dyshuarit për krime të rënda financiare, mirëpo gjykatësit e VMRO-së, asnjë hajdut të deritashëm nuk e dërgoi në vuajtje të dënimit, për “vjedhje të pasurisë shoqërore”. Aq më shumë, që kjo qeveri, do t’i jepte shpresë VMRO-së, që t’i mbulojë këto vepra kriminale, duke korruptuar edhe më tutje politikanët shqiptarë, të afërt me të, gjë e cila do të parandalonte nxjerrjen para gjyqësisë grabitësit e vërtetë të pronës shoqërore, në zëvendësim me ndonjë “viktimë” të vogël, siç ishte rasti i paraburgimit të kryetarit të Komunës së Manastirit.
Duke pasur parasysh këto fakte, mendoj se koalicioni më i shëndetshëm është ai që do të formohej nga LSDM-ja me të gjitha partitë shqiptare, ose me një pjesë të madhe të tyre, që kësaj qeverie, do t’i garantonte komoditet numrash në parlament, për të vazhduar punën e Prokurorisë speciale ose formuar sërish, sepse ka gjasa që Gjykata Kushtetuese në mbarim të vitit, në këtë vakum politik, ta shuajë punën e saj. Me vazhdimin e punës së prokurorisë speciale, dhe krijimin e mekanizmave gjyqësore për procesuimin e drejtë të këtyre lëndëve, Maqedonia do të çlirohej nga pushteti autoritar, padrejtësitë e vazhdueshme, që u janë bërë qytetarëve të saj.
Paralelisht me këtë, të fillojë të zgjidh edhe të gjitha çështjet kontestuese që kanë paraqitur në platformat e tyre partitë që e përbëjnë këtë qeveri gjatë fushatës së tyre elektroale, që përafërsisht janë të ngjashme, pothuaj se për të gjitha çështjet ndëretnike, ekonomike, sociale, marrëdhëniet me jashtë etj.