Gazetaria shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka humbur sot, më 2 korrik, një nga figurat e saj më të respektuara. Është ndarë nga jeta veterani i gazetarisë, publicisti dhe autori i njohur, Nijazi Muhamedi.
Për dekada me radhë, Muhamedi ishte pjesë e pandashme e medias në gjuhën shqipe, duke lënë gjurmë të rëndësishme në informimin e publikut dhe zhvillimin e gazetarisë profesionale. Ai kontribuoi për shumë vite në Radio Televizionin e Maqedonisë, ku ushtroi me përkushtim detyrat e gazetarit, redaktorit dhe drejtuesit, duke fituar respektin e kolegëve dhe publikut.
Përveç angazhimit në media, Nijazi Muhamedi ishte edhe publicist e autor i disa veprave, përmes të cilave trajtoi tema politike, historike dhe shoqërore që lidhen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka prekur thellë komunitetin e gazetarëve,
bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij. Ai do të kujtohet si një profesionist me integritet, një mbrojtës i fjalës së lirë dhe një emër që dha kontribut të çmuar në historinë e gazetarisë shqiptare.
Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve për këtë humbje të madhe.


