Arben Etemi
Me miratimin e këtij ligji, vendi ynë ndërmerr një nga reformat më të rëndësishme në fushën e energjetikës në dekadat e fundit. Për herë të parë, burimet e renovueshme të energjisë rregullohen me një ligj të veçantë (Lex specialis), duke krijuar një kornizë moderne, të qëndrueshme dhe plotësisht të harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Ky ligj shënon një kthesë të rëndësishme drejt një sistemi energjetik më të sigurt, më të pastër dhe më konkurrues. Ai e vendos energjinë e rinovueshme në qendër të politikave zhvillimore të shtetit, me synimin për të forcuar pavarësinë energjetike, për të ulur varësinë nga importi i energjisë, për të tërhequr investime të reja dhe për të përshpejtuar tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër.
Nëpërmjet këtij ligji harmonizohet legjislacioni kombëtar me direktivat më të reja të Bashkimit Evropian, përfshirë Direktivën për promovimin e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme. Njëkohësisht, ai krijon bazën për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, përdorim më efikas të burimeve natyrore, investime në teknologji moderne dhe infrastrukturë të gjelbër, si dhe për uljen graduale të përdorimit të lëndëve djegëse fosile.
Ligji synon:
* rritjen e sigurisë në furnizimin me energji;
* përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike;
* rritjen e pjesëmarrjes së energjisë së rinovueshme në konsumin final të energjisë;
* përmbushjen e objektivave të Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën;
* mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e emetimeve të gazrave serrë.
Ndër risitë më të rëndësishme të ligjit është futja e mekanizmit evropian “Kontratë Dykahëshe për Diferencën” (Two-way Contract for Difference – CfD), i cili garanton stabilitet dhe siguri për investitorët, duke siguruar të ardhura minimale për prodhuesit e energjisë, ndërsa në të njëjtën kohë kufizon fitimet e tepërta në periudha me çmime të larta, duke mbrojtur interesin publik.
Gjithashtu, ligji krijon një sistem transparent, konkurrues dhe jodiskriminues për mbështetjen e investimeve përmes tarifave preferenciale dhe premiumeve të tregut, duke nxitur zhvillimin e sipërmarrjes, hapjen e vendeve të reja të punës dhe përdorimin e teknologjive më bashkëkohore.
Për herë të parë rregullohen edhe mekanizmat Net Metering dhe Net Billing, të cilët u japin mundësi familjeve, bizneseve dhe institucioneve të prodhojnë energji elektrike për nevojat e tyre, të ulin kostot dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në tranzicionin energjetik.
Një tjetër risi është krijimi i bazës ligjore për komunitetet energjetike, ku qytetarët, komunat dhe bizneset mund të bashkëpunojnë për prodhimin, ruajtjen, konsumimin dhe tregtimin e energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, duke sjellë përfitime ekonomike, sociale dhe mjedisore për komunitetet lokale.
Ligji forcon gjithashtu sistemin e garancive të origjinës për energjinë e gjelbër, duke i hapur rrugë integrimit të plotë të tregut energjetik të Maqedonisë së Veriut me tregun evropian. Kjo do t’u mundësojë prodhuesve vendas që energjia e tyre e gjelbër të certifikohet dhe të tregtohet në nivel evropian, duke rritur konkurrueshmërinë dhe vlerën e investimeve të tyre.
Pritet që zbatimi i këtij ligji të sjellë ulje të varësisë nga importi i energjisë, rritje të prodhimit vendor, më shumë investime private, vende të reja pune, zhvillim të teknologjive inovative, mbrojtje më të mirë të mjedisit dhe një ekonomi më të qëndrueshme.
Ky ligj nuk është vetëm një reformë ligjore. Ai është një investim strategjik në të ardhmen energjetike të vendit, një hap i rëndësishëm drejt integrimit evropian dhe një garanci për një sistem energjetik më modern, më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për qytetarët, bizneset dhe brezat që do të vijnë.


