Ali Maksuti
( Analizë politike, ekonomike dhe filozofike mbi protestat rinore, krizën e legjitimitetit dhe kufijtë e ndryshimit shoqëror )
Nga pakënaqësia ekonomike te kërkesa për emancipim, çfarë na tregojnë protestat e Gjeneratës Z për kontradiktat e shoqërisë bashkëkohore?
Në pamje të parë, protestat e Gjeneratës Z mund të interpretohen si një reagim i natyrshëm i të rinjve ndaj korrupsionit, rritjes së kostos së jetesës, mungesës së perspektivës profesionale dhe mosbesimit ndaj institucioneve. Por një lexim më i thelluar politik dhe shoqëror sugjeron se kemi të bëjmë me një fenomen që shkon përtej pakënaqësisë ndaj qeverive të caktuara nëpër botë. Në shumë raste, ajo që vihet në pikëpyetje është vetë marrëdhënia ndërmjet individit, ekonomisë dhe pushtetit politik. Gjenerata Z po rritet në një shoqëri që premton mundësi të pakufizuara, por që, në të njëjtën kohë, prodhon pasiguri ekonomike, pabarazi dhe forma të reja të përjashtimit. Të rinjve u thuhet se arsimi, puna dhe përkushtimi janë rrugët drejt suksesit, ndërsa përvoja e tyre e përditshme shpesh tregon se këto rrugë nuk janë njësoj të hapura për të gjithë. Pikërisht në këtë kontradiktë duhet kërkuar një pjesë e rëndësishme e shpjegimit të revoltës rinore. Pyetja, pra, nuk është vetëm pse proteston Gjenerata Z. Pyetja është se çfarë ndodh kur një brez fillon të dyshojë se sistemi që i kërkon të përshtatet nuk është më në gjendje t’i garantojë as mundësitë minimale për një jetë me dinjitet.
1. Nga pakënaqësia ekonomike te kriza e legjitimitetit politik
Protestat e viteve të fundit në vende si Serbia, Nepali, Franca, Italia, Spanja, Shqipëria, India etj kanë treguar se mobilizimi rinor mund të lindë nga ngjarje konkrete, por të shndërrohet në një kundërshtim më të gjerë ndaj mënyrës së ushtrimit të pushtetit. Në Serbi, shembja e tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona, u bë pikënisje e një vale protestash studentore për transparencë dhe përgjegjësi , por sot u integrua në sistem politik. Në Nepal, kufizimet ndaj rrjeteve sociale në shtator 2025 u ndërthurën me pakënaqësinë e akumuluar ndaj korrupsionit dhe elitave politike, duke çuar në dorëheqjen e kryeministrit. Në Shqipëri , nisën protestat për investime të dyshimta por tani ka një kahje të re sociale. Në raste të tilla, një ngjarje nuk krijon domosdoshmërisht pakënaqësinë nga e para. Ajo mund të veprojë si katalizator, duke i dhënë një formë konkrete zemërimit që është grumbulluar për një kohë të gjatë.
Nga pikëpamja e sociologjisë politike, kjo është e rëndësishme sepse legjitimiteti i një sistemi nuk mbështetet vetëm te ekzistenca formale e institucioneve apo te rezultati i zgjedhjeve. Ai varet edhe nga bindja e qytetarëve se institucionet funksionojnë në mënyrë të drejtë, se rregullat zbatohen në mënyrë të barabartë dhe se pushteti publik mund të japë llogari për veprimet e veta. Kur kjo bindje dobësohet, pakënaqësia mund të shndërrohet në krizë legjitimiteti. Në këtë kuptim, korrupsioni nuk duhet kuptuar vetëm si devijim administrativ apo si keqpërdorim i fondeve publike. Ai është gjithashtu një mekanizëm që mund të minojë besimin te barazia qytetare, duke filluar nga niveli lokal e deri në përamasa të gjëra politika e sociale. Kur qytetarët mendojnë se lidhjet politike kanë më shumë vlerë sesa kompetenca, ndërsa afërsia me pushtetin sjell më shumë përfitime sesa puna, vetë parimi i meritokracisë humbet besueshmërinë. Për një të ri, kjo nuk është thjesht çështje e një vendi pune që nuk e fiton, është përvoja se rregullat e lojës mund të jenë të paracaktuara dhe se përpjekja personale nuk mjafton gjithmonë për të kapërcyer pengesat strukturore.
2. Tjetërsimi dhe kontradikta e premtimit modern
Për ta kuptuar më thellë këtë fenomen, duhet të shkojmë përtej shpjegimeve që i reduktojnë protestat te pakënaqësia e përkohshme apo te sjellja e një brezi të caktuar. Në traditën e kritikës së ekonomisë politike, veçanërisht te Karl Marx, marrëdhënia e individit me punën, produktin e punës dhe strukturat ekonomike përbën një element qendror të analizës së tjetërsimit. Në shoqërinë bashkëkohore, kjo ide mund të përdoret për të analizuar një kontradiktë të rëndësishme, të rinjtë nxiten të investojnë në arsim, të zhvillojnë aftësi dhe të punojnë për të ardhmen, por jo gjithmonë kanë kontroll mbi kushtet ekonomike që përcaktojnë rezultatet e përpjekjeve të tyre. Problemi nuk është se arsimi apo puna e kanë humbur vlerën. Problemi është se marrëdhënia ndërmjet përpjekjes dhe shpërblimit mund të bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Kur diploma nuk përkthehet në siguri profesionale, kur puna nuk siguron pavarësi ekonomike dhe kur mundësia për të krijuar një jetë të qëndrueshme varet nga faktorë jashtë kontrollit të individit, lind një hendek ndërmjet premtimit shoqëror dhe përvojës konkrete. Ky hendek mund të prodhojë tjetërsim, ndjenjën se individi po përmbush kërkesat e sistemit pa pasur mundësi të ndikojë realisht mbi kushtet që formësojnë jetën e tij. Këtu qëndron edhe një dimension më i thellë i protestave të Gjeneratës Z. Ato nuk shprehin domosdoshmërisht refuzimin e punës, arsimit apo institucioneve si të tilla. Në shumë raste, ato shprehin refuzimin e një marrëdhënieje shoqërore në të cilën individit i kërkohet vazhdimisht të përshtatet, ndërsa përgjegjësia e institucioneve për të krijuar kushte të drejta mbetet e pamjaftueshme. Prandaj, kriza nuk është vetëm ekonomike. Ajo është edhe krizë e pritshmërive, e besimit dhe e kuptimit që individi i jep përpjekjes së vet.
3. Shoqëria e konsumit dhe prodhimi i pakënaqësisë
Një dimension tjetër i kësaj analize lidhet me kulturën e konsumit dhe me mënyrën se si shoqëria bashkëkohore e përkufizon suksesin. Në një botë ku statusi shoqëror matet shpesh përmes pasurisë, konsumit dhe dukshmërisë publike, të rinjtë përballen me një presion të vazhdueshëm për të dëshmuar se po ecin përpara. Rrjetet sociale e intensifikojnë këtë proces, duke e bërë jetën e të tjerëve të duket vazhdimisht e pranishme dhe të krahasueshme. Këtu mund të na ndihmojë kritika e Theodor Adornos dhe Max Horkheimerit ndaj industrisë kulturore, si dhe analiza e Herbert Marcuse-s mbi shoqërinë njëdimensionale. Industria kulturore, në kuptimin e tyre kritik, nuk lidhet vetëm me prodhimin e argëtimit. Ajo lidhet edhe me mënyrën se si modelet e dëshirës, suksesit dhe normalitetit mund të riprodhohen përmes produkteve kulturore dhe komunikimit masiv. Ndërsa Marcuse na ndihmon të shtrojmë pyetjen nëse disa nevoja, të cilat individi i përjeton si personale, formësohen edhe nga presionet e sistemit ekonomik dhe kulturor. Kjo nuk do të thotë se çdo dëshirë e të rinjve është artificiale apo se rrjetet sociale janë shkaku i drejtpërdrejtë i protestave. Një përfundim i tillë do të ishte reduktues. Çështja është se shoqëria e konsumit mund të krijojë një kontradiktë të vazhdueshme, ku individi nxitet të dëshirojë një standard të caktuar jetese, ndërsa kushtet ekonomike nuk ia mundësojnë domosdoshmërisht arritjen e tij.
Kur kjo kontradiktë ndërthuret me pabarazinë dhe korrupsionin, pakënaqësia fiton edhe një dimension simbolik. Të rinjtë nuk përballen vetëm me pamundësinë për të konsumuar, por edhe me ndjenjën se nuk kanë qasje të barabartë në atë që shoqëria e paraqet si sukses. Ajo vërehet në formatin e dëmtimit të bizneseve lokale, dhe keqpërdorimin e revoltës së krijuar kolektive.
Në këtë kuptim, revolta mund të lexohet edhe si kundërshtim ndaj një modeli shoqëror që premton liri individuale, por e lidh atë gjithnjë e më shumë me kapacitetin ekonomik për të konsumuar.
4. Rrjetet sociale – hapësirë emancipimi apo formë e re kontrolli?
Gjenerata Z është rritur në një mjedis ku komunikimi digjital është pjesë e jetës së përditshme. Kjo i ka krijuar mundësi të reja për organizim, informim dhe mobilizim politik. Një video mund të dokumentojë një padrejtësi, një dëshmi personale mund të sfidojë versionin zyrtar të ngjarjeve, një thirrje për protestë mund të kalojë nga një grup i vogël te një mobilizim masiv. Në këtë aspekt, teknologjia ka zgjeruar mundësitë e pjesëmarrjes politike dhe ka ulur disa nga barrierat tradicionale të organizimit. Megjithatë, do të ishte gabim të barazohej komunikimi digjital me emancipimin politik.
Jürgen Habermas, përmes konceptit të sferës publike dhe racionalitetit komunikues, ofron një pikënisje të dobishme për të kuptuar këtë dallim. Një hapësirë publike demokratike nuk kërkon vetëm mundësinë për të shprehur mendime, por edhe kushte për diskutim, argumentim dhe formim të një gjykimi të informuar. Rrjetet sociale mund ta zgjerojnë pjesëmarrjen, por mund të favorizojnë gjithashtu polarizimin, përhapjen e dezinformimit dhe komunikimin e përqendruar te reagimi i menjëhershëm. Dukshmëria e një kërkese nuk garanton se ajo do të shndërrohet në program politik, ndërsa shpejtësia e mobilizimit nuk zëvendëson domosdoshmërisht organizimin demokratik. Prandaj, pyetja nuk është nëse teknologjia është në favor apo kundër protestave. Pyetja është se në çfarë kushtesh ajo ndihmon në krijimin e një publiku kritik, të aftë të debatojë, të organizohet dhe të ushtrojë kontroll mbi pushtetin. Një protestë mund të fillojë në internet, por ndryshimi institucional kërkon procese që vazhdojnë përtej tij.
5. Pas protestës – ndryshimi i qeverisë nuk është domosdoshmërisht ndryshim i sistemit
Kjo është pika ku analiza e protestave duhet të bëhet veçanërisht kritike. Në diskursin publik, largimi i një kryeministri apo rrëzimi i një qeverie shpesh paraqitet si dëshmi se protesta ka fituar. Në aspektin simbolik, një rezultat i tillë mund të jetë domethënës. Ai mund të tregojë se qytetarët kanë arritur të sfidojnë një pushtet që më parë dukej i paprekshëm. Por, nga pikëpamja institucionale, dorëheqja është vetëm një ngjarje, jo domosdoshmërisht një transformim. Pushteti nuk përbëhet vetëm nga personat që zënë pozitat më të larta. Ai funksionon edhe përmes rregullave, marrëdhënieve ekonomike, administratës, mekanizmave të kontrollit dhe rrjeteve të interesave që mund të mbijetojnë përtej ndryshimit të udhëheqësve. Për këtë arsye, duhet të dallojmë tri nivele të ndryshimit.
Niveli i parë është ndryshimi personal- ku largohen individë nga pushteti dhe zëvendësohen me të tjerë.
Niveli i dytë është ndryshimi institucional ku ndryshojnë procedurat, mekanizmat e llogaridhënies, funksionimi i drejtësisë dhe mënyra e kontrollit mbi administratën publike.
Niveli i tretë është ndryshimi strukturor ku transformohen marrëdhëniet që prodhojnë pabarazi, varësi dhe përqendrim të pushtetit ekonomik e politik. Këto nivele nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, por as nuk janë të barasvlershme. Një ndryshim personal mund të krijojë mundësi për reforma institucionale, ndërsa reformat institucionale mund të jenë parakusht për ndryshime më të thella shoqërore. Megjithatë, asnjëra nuk është automatike dhe këtu qëndron rreziku i një revolte që arrin të largojë qeverinë, por nuk arrin të krijojë mekanizma të qëndrueshëm për kontrollin e pushtetit apo të sjellë ndryshime strukturore. Nëse lëvizja nuk arrin të ndërtojë organizim, përfaqësim dhe një program të qartë reformash, pakënaqësia mund të kanalizohet nga aktorë të rinj që premtojnë ndryshim, por që nuk e ndryshojnë domosdoshmërisht logjikën e qeverisjes. Në raste të tjera, protestat mund të përballen me shtypje, përçarje apo zhgënjim. Prandaj, rezultati i tyre duhet vlerësuar jo vetëm nga ajo që arrijnë të rrëzojnë, por edhe nga ajo që arrijnë të ndërtojnë.
6. Maqedonia e Veriut dhe Ballkani – mes largimit, mosbesimit dhe kërkesës për drejtësi
Për Ballkanin Perëndimor, kjo analizë merr një rëndësi të veçantë sidomos në rajon, ku diskutimi mbi të ardhmen e të rinjve lidhet me mundësitë e punësimit, cilësinë e arsimit, emigrimin, korrupsionin dhe besimin te institucionet. Kur largimi nga vendi shihet si alternativa më e besueshme për një jetë më të qëndrueshme, kjo duhet të trajtohet jo vetëm si zgjedhje individuale, por edhe si çështje e kapacitetit të shoqërisë për të krijuar perspektivë. Një vend nuk humbet vetëm popullsi kur të rinjtë emigrojnë. Ai rrezikon të humbasë aftësi profesionale, energji krijuese dhe një pjesë të potencialit të tij për ndryshim ekonomik e institucional.
Në Maqedoninë e Veriut, tragjedia e Koçanit psh. në vitin 2025 nxiti kërkesa për përgjegjësi dhe llogaridhënie, ndërsa protestat studentore të vitit 2026 për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe e vendosën në qendër çështjen e të drejtave gjuhësore dhe trajtimit institucional. Këto lëvizje kanë kontekste dhe kërkesa të ndryshme, prandaj nuk duhet të reduktohen në një fenomen të vetëm. Megjithatë, ato mund të analizohen brenda një pyetjeje më të gjerë – a arrijnë institucionet t’u përgjigjen në mënyrë të besueshme kërkesave të qytetarëve për siguri, barazi dhe drejtësi?
Përgjigjja nuk mund të jepet vetëm përmes deklaratave politike. Ajo duhet të shihet në zbatimin e ligjit, në transparencën e vendimmarrjes, në cilësinë e shërbimeve publike dhe në mundësinë që qytetarët të kërkojnë llogari pa u përballur me pengesa të padrejta. Për këtë arsye, protestat nuk duhet të interpretohen automatikisht si kundërshtim ndaj shtetit apo ndaj demokracisë. Në shumë raste, ato mund të shprehin kërkesën që institucionet të përmbushin më mirë vetë parimet mbi të cilat pretendojnë se mbështeten. Sfida për politikën është të mos i trajtojë kërkesat qytetare si probleme të komunikimit apo si kërcënime për autoritetin. Sfida për protestuesit është që kërkesat e tyre të shndërrohen në procese të qëndrueshme demokratike, pa humbur pavarësinë nga interesat partiake në kuptim të ngushtë apo interesat politike në kuptim të gjërë, sepse mund të përsëriten dhe të zgjerohen.
7. Përtej suksesit material – çfarë lloj shoqërie duan të rinjtë?
Kritika e shoqërisë bashkëkohore nuk duhet të ndalet vetëm te pyetja se sa mund të fitojë individi, por duhet të shtrojë edhe pyetjen se çfarë lloj jete është në gjendje të ndërtojë ai. Erich Fromm, në dallimin e tij ndërmjet mënyrave të ekzistencës të orientuara drejt të pasurit dhe të qenit, na ndihmon të reflektojmë mbi një kontradiktë të shoqërive moderne, individi mund të gjykohet gjithnjë e më shumë përmes asaj që zotëron, konsumon dhe demonstron, ndërsa dimensionet e autonomisë, marrëdhënieve njerëzore dhe zhvillimit personal mbeten në plan të dytë. Kjo nuk do të thotë se siguria materiale është e parëndësishme. Përkundrazi, pa të, liria individuale shpesh mbetet formale. Por një shoqëri që e redukton suksesin te konkurrenca dhe akumulimi rrezikon të mos e trajtojë individin si qëllim në vetvete, por si mjet për produktivitetin ekonomik. Në këtë kontekst, kërkesa e të rinjve për një të ardhme më të mirë mund të ketë një kuptim më të gjerë se rritja e pagave apo mundësia për të konsumuar më shumë. Ajo mund të përfshijë dëshirën për të jetuar në një shoqëri ku puna ka kuptim, institucionet janë të besueshme, marrëdhëniet shoqërore nuk përcaktohen vetëm nga interesi dhe e ardhmja nuk përjetohet si një garë e përhershme mbijetese. Ky është dimensioni emancipues që mund të fshihet pas disa prej protestave bashkëkohore. Por ai nuk duhet supozuar si një qëllim i përbashkët i të gjithë protestuesve. Për ta identifikuar, duhet të analizohen kërkesat konkrete, organizimi dhe rezultatet e secilës lëvizje.
Emancipimi nuk është thjesht çlirimi nga një qeveri, ai lidhet edhe me mundësinë e individit për të marrë pjesë në përcaktimin e kushteve shoqërore që formësojnë jetën e tij.
8. Nga revolta te emancipimi-kushtet e ndryshimit të qëndrueshëm
Pra, çështja kryesore nuk është nëse protestat e Gjeneratës Z janë të fuqishme apo nëse do të arrijnë të ndryshojnë një qeveri. Çështja është nëse energjia e tyre mund të shndërrohet në një formë të qëndrueshme të pjesëmarrjes demokratike dhe të reformës institucionale. Për këtë nevojiten të paktën katër elemente.
Së pari, kërkesat duhet të përkthehen në objektiva konkrete dhe të verifikueshme, transparencë, hetime të pavarura, procedura të drejta, reforma ligjore dhe përgjegjësi institucionale.
Së dyti, lëvizjet duhet të krijojnë mekanizma për vazhdimin e pjesëmarrjes qytetare edhe pas përfundimit të protestave. Pa organizim dhe kontroll të vazhdueshëm, presioni publik mund të humbasë ndikimin.
Së treti, institucionet duhet të bëhen më të hapura ndaj kritikës dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve. Një demokraci nuk matet vetëm me mundësinë për të votuar, por edhe me aftësinë për të kontrolluar pushtetin ndërmjet zgjedhjeve.
Së katërti, politika ekonomike duhet të vlerësohet edhe nga mundësitë reale që krijon për qytetarët, qasja në arsim, punësimi, siguria sociale dhe mundësia për të ndërtuar një jetë të pavarur.
Këto nuk janë garanci automatike të suksesit. Ato janë kushte që mund ta bëjnë më të mundshëm shndërrimin e revoltës në ndryshim të qëndrueshëm. Prandaj, është e rëndësishme të mos idealizohet Gjenerata Z si një forcë që, vetëm për shkak të moshës, do të sjellë një politikë më të drejtë. Asnjë brez nuk është imun ndaj manipulimit, interesave ekonomike apo kontradiktave të pushtetit. Por as nuk duhet nënvlerësuar aftësia e të rinjve për të vënë në pikëpyetje marrëdhënie politike që janë normalizuar për një kohë të gjatë. Rëndësia e këtyre protestave qëndron jo te supozimi se të rinjtë kanë të gjitha përgjigjet, por te fakti se ata po i detyrojnë shoqëritë të përballen me pyetje që institucionet shpesh i kanë lënë pa përgjigje. Kur hesht rruga, fillon prova e vërtetë e politikës. Protestat e Gjeneratës Z mund të lexohen si shprehje e një kontradikte të thellë të shoqërisë bashkëkohore, ndërsa individit i premtohen mundësi, autonomi dhe sukses, kushtet ekonomike dhe institucionale jo gjithmonë i mundësojnë realizimin e këtyre premtimeve. Në këtë kuptim, protesta bëhet më shumë se një reagim ndaj një vendimi politik. Ajo mund të jetë shenjë e një krize në marrëdhënien ndërmjet qytetarit dhe sistemit që pretendon ta përfaqësojë. Megjithatë, pakënaqësia nuk prodhon vetvetiu emancipim. Ajo mund të çojë në reforma, por edhe në zhgënjim, mund të krijojë forma të reja pjesëmarrjeje, por edhe të përvetësohet nga aktorë që kërkojnë vetëm të zëvendësojnë elitat ekzistuese. Dallimi qëndron te aftësia për ta shndërruar kundërshtimin në organizim, kërkesën në reformë dhe mobilizimin në kontroll demokratik mbi pushtetin. Prandaj, pyetja nuk duhet parashtruar në atë format , nëse Gjenerata Z do të arrijë të ndryshojë qeveritë. Pyetja është nëse shoqëritë do të arrijnë të ndryshojnë kushtet që i bëjnë të rinjtë të ndihen të përjashtuar nga e ardhmja që u është premtuar. Sepse ndryshimi politik fillon kur qytetarët refuzojnë të pranojnë padrejtësinë si normalitet, por emancipimi fillon atëherë kur ata fitojnë mundësinë të ndikojnë mbi rregullat që prodhojnë atë padrejtësi. Dhe pikërisht këtu matet pesha historike e një proteste, jo vetëm te pushteti që ajo arrin të rrëzojë, por te liria, dinjiteti dhe drejtësia që arrin të bëjë të mundshme pas saj.



