Ish-ministri i Kulturës Astrit Haraqija, i arrestuar natën e 15 nëntorit në Prishtinë, është sipas Prokurorisë njëri nga furnizuesit e një grupi që shiste kokainë në kryeqytet. Në banesën e tij policia gjeti një pistoletë pa leje dhe mbi tetë mijë euro kesh, por jo narkotik.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, i ka kërkuar Gjykatës Themelore që Haraqijës dhe pesë të pandehurve të tjerë t’u caktojë masën e paraburgimit. Kërkesën, që Nacionale e ka siguruar, e ka nënshkruar prokurori Arben Hoti më 15 nëntor. Gjykata e ka pranuar të hënën, më 16 nëntor, dhe ajo i është dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake Gazmend Bahtiri.
Sipas dokumentit, Haraqija dyshohet për dy vepra penale. E para është pjesëmarrja si anëtar i grupit në blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve. E dyta është mbajtja në posedim e armës pa leje. Ai mohon aktivitetin dhe rolin që i vihet në barrë, shkruan vetë Prokuroria.
SI NISI GJITHÇKA?
15.11 · 14:12
Astrit Haraqija raportohet i arrestuar në aksionin “Heshtja”
Grupi i “Dajës”
Hetimi kishte nisur në prill të këtij viti, pas një raporti të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Raporti kishte në shënjestër fillimisht Jeton Stanovcin, Gëzim Fekën dhe Arijanit Beqirin. Sipas Prokurorisë, në krye të grupit ishte Jeton Stanovci, i njohur me nofkën “Daja”. Gëzim Feka, Arijanit Beqiri dhe Albert Krasniqi e shpërndanin dhe e shitnin kokainën në doza të vogla, me vetura të marra me qira. Bashkëshortja e Fekës, Baftije Feka, ruante dhe ndante sasitë, ndërsa bashkëjetuesja e Stanovcit, Albana Xhemajli, mblidhte paratë. Barazimi i llogarive, shkruan Prokuroria, bëhej zakonisht çdo të diel.
Emri i ish-ministrit Haraqija del në hetim vonë. Bashkë me Alban Malokun, ai përfshihet në aktvendimin për zgjerimin e hetimeve vetëm më 15 nëntor, një ditë pasi policia kishte kryer kontrolle në 14 lokacione. Ai është ndaluar atë natë, në orën 02:30, disa orë pas të pandehurve të tjerë.
Në dispozitivin e kërkesës, Prokuroria e vendos Haraqijën te furnizuesit: Stanovci, sipas saj, furnizohej me narkotik nga Mërgim Stanovci, i cili është në arrati, nga Astrit Haraqija dhe nga Alban Maloku. Narkotiku fillimisht ndahej në sasi të vogla e pastaj i kalonte Gëzim Fekës.
Takimet në rrugën “Korabi”
Pjesa më e madhe e asaj që Prokuroria i atribuon Haraqijës vjen nga masat e fshehta hetimore. Sipas raportit të këtyre masave, Jeton Stanovci zhvillonte takime të rregullta me Mërgim Stanovcin dhe Haraqijën në objektin banesor në rrugën “Korabi” në Prishtinë, aty ku banon Haraqija. Aty, pretendon Prokuroria, ndahej narkotiku që e sillte Mërgimi, para se t’i jepej Gëzim Fekës për shitje.
Në përgjime figuron edhe një person me nofkën “Ministri”. Prokuroria shkruan se “Ministri” më pas ka rezultuar të jetë Astrit Haraqija. Kërkesa nuk shpjegon se si është bërë ky identifikim.
Në njërin nga episodet, më 12 maj, Gëzim Feka takohet pas mesnate me “Ministrin” në rrugën “Gucia”, afër objektit “Lirimi”, dhe e pyet nëse ia ka sjellë. “Ministri” i përgjigjet shkurt: “Hajt”. Pak para orës 03:30, Feka i raporton “Dajës” se e ka pranuar sasinë e narkotikut të dorëzuar nga “Ministri” dhe se po e dërgon në banesë. Më 3 qershor, sipas Prokurorisë, Feka takohet sërish me “Ministrin” dhe furnizohet prej tij me narkotik në një qese.
Një episod tjetër i përshkruar në të njëjtën kërkesë e paraqet lidhjen në drejtim të kundërt. Më 25 maj, Feka takohet me “Ministrin” dhe është ai që i jep një gram, me vlerë 30 euro, duke i premtuar edhe dy gram të tjerë më vonë. Pastaj i raporton “Dajës” se ka qenë te “Ministri” dhe se ka marrë vetëm 30 euro. Prokuroria nuk e komenton këtë dallim mes rolit të furnizuesit dhe atij të blerësit.
Çfarë u gjet në banesa
Policia kontrolloi dy banesa të Haraqijës në të njëjtën hyrje në rrugën “Korabi”. Në atë të katit të nëntë, sipas procesverbalit të cituar nga Prokuroria, u sekuestruan një pistoletë e tipit CZ-100 me një karikator dhe gjashtë fishekë, 8.250 euro në kartëmonedha prej 200, 100 dhe 50 euro, si dhe dy telefona iPhone. Për armën, Haraqija nuk kishte leje valide nga organi kompetent, shkruan Prokuroria. Prandaj ai akuzohet edhe sipas nenit 366 të Kodit Penal.
LEXO EDHE
15.11 · 14:53
Avokati konfirmon arrestimin e Astrit Haraqijës
Në banesën e katit të dytë policia hyri me forcë, në prani të dy dëshmitarëve. Aty nuk u gjet asgjë e dyshimtë. Në asnjërin nga lokacionet e Haraqijës nuk u gjet narkotik. Në kontrollet e tjera të së njëjtës natë, policia sekuestroi rreth 1.480 gram kokainë në bodrumin e Gëzim Fekës dhe 106 gram të dyshuar për kokainë në banesën e Alban Malokut.
Arsyet për paraburgim
Prokuroria kërkon paraburgim për të gjithë të pandehurit e ndaluar dhe përmend tre rreziqe: arratisjen, ndikimin në dëshmitarë e asgjësimin e provave, dhe përsëritjen e veprës. Si argumente sjell faktin se dy anëtarë të grupit, Mërgim Stanovci dhe Albert Krasniqi, janë në arrati dhe se Jeton Stanovci kishte marrë vesh që ishte nën masa të fshehta para arrestimit. Shton edhe se blerësit ende nuk janë identifikuar plotësisht.
Këto arsye jepen kryesisht për grupin në tërësi. Për Haraqijën, dokumenti përmend veçmas vetëm faktin se ai, si Albana Xhemajli dhe Arijanit Beqiri, i ka mohuar aktivitetin dhe rolin e tij. Sipas Prokurorisë, masat më të buta nuk do të mjaftonin për ta siguruar praninë e të pandehurve në procedurë.
Vendimin për paraburgim e merr gjyqtari i procedurës paraprake pas seancës dëgjimore, ku marrin pjesë prokurori, të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre. Haraqijën e mbron avokati Korab Bokshi.
Të gjithë personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.



