Pas hyrjes së kapitalit serb në sektorin bankar dhe atë të telekomunikacionit, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka ngritur shqetësime për shtrirjen e tij edhe në sektorin farmaceutik, përkatësisht në furnizimin me insulinë dhe barna të tjera jetike. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, ka deklaruar se kompania farmaceutike Phoenix Pharma ka kaluar nën kontrollin e një kompanie serbe të lidhur me një biznesmen që është bashkëpronar i kompanisë së lojërave të fatit Mozzart, përcjell gazeta KOHA. Sipas Bilalli Zendelit, më 3 prill të vitit 2025, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, përmes vendimit nr. 08-55, ka miratuar blerjen e Phoenix Pharma nga kompania serbe VEGA, e lidhur me biznesmenin Dejan Çakajac.
“Jo vetëm sistemi bankar, por edhe insulina i jepet në duar botës serbe. Pas Alta Bankës dhe hyrjes së kapitalit serb në telekomunikacion, sot zbulojmë një tjetër çështje serioze: marrjen e kontrollit mbi Phoenix Pharma nga një biznesmen serb i industrisë së kazinove dhe basteve”, ka deklaruar Bilalli Zendeli.
Ajo ka pretenduar se vetëm gjatë vitit 2026, kompania Vega Farmaceutikals ka fituar mbi 50 kontrata publike me Ministrinë e Shëndetësisë dhe klinika të ndryshme, me vlerë prej disa milionë eurosh. Sipas saj, vetëm kontratat për furnizimin me insulinë arrijnë vlerën prej rreth 10 milionë eurosh. Zëdhënësja e BDI-së ka ngritur pikëpyetje për vendimin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke kërkuar sqarime nëse gjatë miratimit të transaksionit janë analizuar edhe rreziqet eventuale për furnizimin e qëndrueshëm me barna jetike.
“Pra, institucioni që duhet të mbrojë konkurrencën ka miratuar kalimin e një furnizuesi me rol dominues në tenderët e insulinës nën kontrollin e një biznesmeni serb të lojërave të fatit. Insulina nuk është biznes i zakonshëm. Është ilaç jetik dhe furnizimi me të është çështje e sigurisë shëndetësore të shtetit”, ka theksuar ajo. Bilalli Zendeli ka kërkuar përgjigje edhe për rolin e përfaqësuesve të koalicionit VLEN në Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës, duke përmendur konkretisht Valon Elezin.
“Kush e ka vlerësuar rrezikun për sigurinë e furnizimit me insulinë? Pse Komisioni e miratoi këtë përqendrim dhe a ka pasur ndikim politik në këtë vendim? Anëtari i VLEN-it në Komision, Valon Elezi, a ka pasur njohuri?”, ka pyetur zëdhënësja e BDI-së. Nga kjo parti kërkojnë publikimin e plotë të analizës mbi bazën e së cilës është miratuar transaksioni, si dhe transparencë për të gjitha kontratat e furnizimit me insulinë për periudhën 2025–2027. Sipas Bilalli Zendelit, çështja nuk duhet të trajtohet vetëm nga këndvështrimi i konkurrencës dhe investimeve të huaja, por edhe nga aspekti i sigurisë shëndetësore dhe varësisë së institucioneve publike nga furnizuesit e barnave.
Ajo ka ngritur shqetësimin se problemet eventuale financiare apo afariste të kompanisë në Serbi mund të krijojnë pasoja edhe për furnizimin me barna në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar që institucionet të sqarojnë nëse ekzistojnë mekanizma mbrojtës për raste të tilla.
“Bankat kanë të bëjnë me paratë tona. Telekomunikacioni me komunikimet tona. Por insulina ka të bëjë me jetën e njerëzve. Nëse ndodh që kjo kompani ka probleme në Serbi, a do të rrezikohet vendi sa i përket furnizimit me ilaçe dhe insulinë?”, ka deklaruar Bilalli Zendeli.
Në fund të konferencës, zëdhënësja e BDI-së ka kërkuar përgjegjësi dhe transparencë nga institucionet kompetente, duke porositur se “me jetën e qytetarëve nuk guxon të luajë askush”.



