Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Ohër ka ngritur kallëzim penal ndaj një 31-vjeçari nga Ohri, me inicialet K.K., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale „Lëndim i rëndë trupor“, sipas nenit 131 paragrafi 3 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 15 nëntor 2026, rreth orës 02:00, pas një konflikti që fillimisht kishte nisur në shtëpinë e të dyshuarit dhe më pas kishte vazhduar në automjetin e tij.
Gjatë udhëtimit, 31-vjeçari dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dashurës së tij 26-vjeçare. Edhe pasi e kishte ndalur automjetin, ai kishte vazhduar sulmin, me ç’rast vajza kishte humbur vetëdijen dhe ishte rrëzuar.
Ajo fillimisht ishte dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Ohrit, ndërsa më pas ishte transferuar në spitalin „Shën Erazmo“, ku i ishin konstatuar lëndime të rënda trupore.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari ishte arrestuar në orën 05:05 dhe ishte mbajtur në stacion policor. Me kërkesë të Prokurorisë Publike, Gjykata Themelore në Ohër i kishte caktuar masa kujdesi.
Ndërkohë, lidhur me rastin, në polici është paraqitur edhe një incident tjetër. Nëna e 31-vjeçarit kishte denoncuar se babai i vajzës, 49-vjeçar, i kishte dërguar kërcënime telefonike djalit të saj dhe familjes së tij.
Pas denoncimit, edhe babai i vajzës ishte arrestuar në orën 13:20 në Ohër dhe ishte mbajtur në stacion policor. Kundër tij pritet të parashtrohet kallëzim përkatës.



