Banka Kombëtare fillon procedurën për shitjen e paketës dominante të aksioneve në Alta Banka SHA Manastir, me qëllim që të sigurohet një pronar i ri dhe të krijohen kushtet për vazhdimin e veprimtarisë së qëndrueshme të bankës.
Në shitje ofrohen 372.742 aksione të zakonshme, ose 95,336 përqind të numrit total të aksioneve, të cilat janë në pronësi të Alta Bankës SHA Beograd – në falimentim. Shitja do të realizohet përmes Bursës Maqedonase, sipas principit „gjithçka ose asgjë“, që do të thotë se investitorët e interesuar do të duhet të blejnë të gjithë paketën, pa mundësi për blerje të pjesërishme. Ankandi i parë publik bursier është caktuar për datën 30 nëntor 2026, me çmim fillestar prej 3.777 denarë për aksion.
Nëse në ankandin e parë nuk gjendet blerës, shitja do të vazhdojë më 1, 2, 3, 4 dhe 7 dhjetor. Çmimi fillestar i çdo ankandi të mëvonshëm do të ulet me 10 përqind në krahasim me të mëparshmin. Investitorët e interesuar kanë afat deri më 19 nëntor për të paraqitur kërkesë pranë Bankës Kombëtare për marrjen e pëlqimit paraprak për blerjen e pjesëmarrjes së kualifikuar në Bankë. Duhet të dorëzojnë edhe një deklaratë me shkrim se disponojnë mjete për blerjen e aksioneve.
Në ankande do të mund të marrin pjesë vetëm investitorët që i përmbushin kushtet ligjore. Me këtë procedurë Banka Kombëtare bën një hap drejt sigurimit të një pronari të ri për „ALTA banka“ Manastir, me qëllim që të mundësohet veprimtaria e saj e mëtejshme dhe të mbrohen interesat e depozituesve dhe klientëve.



