11 September 2018 / 13:58
Kriteri për përfaqësim të drejtë etnik të respektohet edhe në organet e shërbimeve të sigurisë, kërkon profesori në fushën e sigurisë Bashkim Selmani. Sipas tij, të punësuarit aktual shqiptarë në këtë sektor nuk kanë kualifikime adekuate në këtë lëmi, gjë që me ndryshimet e parashikuara do të jetë ndër kriteret bazë për të mbajtur vendin e punës. Selmani shton se duhet të bëhet riedukimi i tyre.
Në bazë të përgatitjeve profesionale të faktorit shqiptar, deri tani nuk janë plotësuar kushtet për anën profesionale. Do të jetë mirë që në këto reforma mos të kapet elementi shqiptarë për t’i eliminuar gjoja se nuk janë profesionistë sepse në këtë rast do të kërkohen kuadro vetëm me Fakultetin e Sigurisë. Do të jetë mirë që ai kuadër që është i punësuar, të riprofesionalizohet sepse në rast se do të preken përsëri do të pësojmë ne shqiptarët siç pësuam edhe me Agjencinë Teknike Operative ku u zgjodh vetëm drejtori dhe jo zëvendës drejtor shqiptar.”- u shpreh Bashkim Selmani, ekspert i sigurisë.
Me këtë Selmani shton se faktori politik shqiptar duhet të jetë më këmbëngulës në kërkesën për përfaqësim të drejtë etnik. Siç mëson jozyrtarisht Alsat M, shqiptarët në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim janë të përfaqësuar vetëm me 12% por pjesa më e madhe e tyre nuk janë kualifikimet pëkatëse. Kohë më parë, në prag të formimit të Agjencisë Teknike Operative, përfaqësuesit shqiptarë në ekzekutiv premtuar që në shërbimet e reformuara të sigurisë, do të respektohet edhe kriteri për përfaqësim të drejtë. Pas formimit të ATO-së, organit për ndjekjen e telekomunikimeve, në përgatitje e sipër është edhe plani për reforma më të gjera në sektorin e sigurisë dhe kundërzbulimit. Siç mësoi jozyrtarisht Alsat M, tre modele të mundshme për funksionimin e mëtejmë të sistemit të sigurisë dhe kundërzbulimit në vend janë në tavolinën e institucioneve kompetente për shqyrtim. Ndër më të parapërqyerit për ekszekutivin por edhe për një pjesë të ekspertëve është ndarja e DSK-së nga Ministria e Punëve të Brendshme, dhe eventualisht, bashkimi i DSK-së me Agjencinë e Inteligjencës. Me ndryshimin e modelit aktual parashihet të vendoset sistem për koordinim nëpërmjet të ashtuquajturit Këshill i Përbashkët Zbulues i cili do të përbëhet nga kryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes, ministri i Jashtme dhe drejtorët e tre organeve të sigurisë dhe kundërzbulimit. DSK-ja, pas këtyre ndryshimeve, parashihet të jetë subjekt i veçantë juridik nën kompetencat e Qeverisë. Sipas planit, drejtori i saj duhet të propozohet nga ekzekutivi por të zgjidhet nga Kuvendi dhe të ketë mandat tre-vjeçar me mundësi rizgjedhjeje. Të punësuarit në DSK do të kërkohet të kenë kualifikim të përshtatshëm profesional, etikë profesionale dhe të mos ketë konflikt interesi në punën e tyre.
Fatlume Dervishi


