Koalicioni VLEN vlerëson se autostrada Shkup–Bllacë po hyn në fazën e realizimit konkret, ndërsa me përfundimin e procedurës për përzgjedhjen e kontraktorit, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore dhe strategjike për vendin po merr drejtimin e duhur. Nga VLEN thonë se për 24 vjet me radhë, qytetarëve iu është premtuar kjo autostradë, por siç thonë ata ajo mbeti vetëm në letër.
KOALICIONI VLEN
“Ky nuk është vetëm një investim në asfalt dhe beton. Është një investim në lidhjen strategjike me Kosovën, në zhvillimin ekonomik, në qarkullim më të shpejtë të njerëzve dhe mallrave dhe në krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe qytetarët”
Partia në pushtet thekson se angazhimi i zëvendësministres Kaltrina Zekolli dhe koordinimi me institucionet përgjegjëse dhe partnerët ndërkombëtarë po japin rezultate konkrete.
Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim thekson se në kohën kur studimet fillestare e vlerësonin se kjo autostradë nuk ishte ekonomikisht e arsyeshme, sipas tyre ata kanë marrë një vendim strategjik dhe politik që Bllaca, si porta kryesore drejt Kosovës dhe pjesë e Korridorit 8, të lidhej me Shkupin përmes një autostrade moderne dhe jo përmes një rruge të zakonshme magjistrale.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“Një nga vendimet më të rëndësishme ishte ndërtimi i dy kilometrave të para të autostradës. Ky segment nuk u realizua rastësisht, por si një garanci strategjike që projekti të mos mund të ndryshohej më vonë në një rrugë magjistrale. Pikërisht këto 2 kilometra e bënë praktikisht të pamundur devijimin e konceptit fillestar.”
BDI bëri të ditur për dy vjet me radhë projekti është bllokuar dhe se u shoqërua me deklarata kontradiktore, pretendime për ndryshim traseje, ide për reduktimin e tij në rrugë magjistrale dhe tentativa për ta paraqitur si një projekt të ri. Po ashtu sipas BDI-së, janë shpenzuar edhe rreth 8.850.000 denarë për analiza dhe ndryshime, vetëm që në fund të riktheheshin te zgjidhja e përgatitur nga ata.
Zebushe Ramadani /SHENJA/


