“Kot harxhojmë kohë me ankesa të pabaza”, deklaroi anëtarja e KSHZ-së nga radhët e VMRO-DPMNE-së, në seancën e hapur të KSHZ-së, ku po diskutohet për ankesat e zgjedhjeve të 11 dhjetorit të cilat i kanë dorëzuar Lëvizja BESA dhe LSDM, shkruan “Fokus”.
Boneva, në fund të shtatorit u gjet në qendër të vëmendjes dhe në shënjestër të mediave dhe të rrjeteve sociale, pasi që u kuptua se për gjashtë muaj ka kërkuar nga KSHZ që t’i paguhen 12.000 euro për harxhimet e udhëtimit.
Pas një muaji, Boneva i ka tërhequr llogaritë për harxhimet e udhëtimit për korrik dhe gusht. Hapi i këtillë i Bonevës, vjen pas kritikave të shumta nga opinioni, ndërkaq sipas informatave jo-zyrtare ajo ka marrë reagime edhe nga rrethi i ngushtë partiak i VMRO-DPMNE-së.
Boneva ka qenë në shënjestër edhe më parë për çështje të ngjashme. Mediat njoftuan se si deputete vetëm për një vit, për shpenzime udhëtimi ka marrë plot 23 mijë euro.