D.J. nga Koçani, i akuzuari i parë në rastin “Pulse”, është caktuar sërish në paraburgim për 30 ditë, njofton Gjykata Themelore Penale në Shkup.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka pranuar propozimin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas marrjes në pyetje të të dyshuarit në prani të avokatit të tij dhe shqyrtimit të fakteve dhe provave të paraqitura.
Paraburgimi është caktuar për shkak të rrezikut të arratisjes, si dhe dyshimit se i dyshuari mund të pengojë hetimin duke ndikuar te dëshmitarët.
Masa e re e paraburgimit do të fillojë të zbatohet më 3 tetor 2026, pasi D.J. aktualisht ndodhet në paraburgim për rastin që lidhet me zjarrin në diskotekën “Pulse”.
Në hetimin e ri, D.J. dyshohet për veprën penale “dhënie ryshfeti”, në bazë të nenit 358, paragrafi 1 të Kodit Penal.



