SPAK ka ndërmarrë një seri kontrollesh në kuadër të hetimeve të nisura pas audiopërgjimeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku ngrihen pretendime për një skemë të dyshuar të trafikut të armëve dhe aktivitetit të kompanive të lidhura me KAYO. Një nga kontrollet është kryer në vilën në periferi të Tiranës, që raportohet se përdorej nga biznesmeni Ron Yeffet, ndërsa kontrolle janë ushtruar edhe në ambiente të tjera dhe në institucione shtetërore.
Në një lidhje live për News24, gazetarja Klodiana Lala raportoi se hetimi ka nisur kryesisht pas publikimit të audiopërgjimeve dhe administrimit të tyre nga BKH. Sipas saj, kontrollet nuk janë kufizuar vetëm te banesa e Yeffet, por janë shtrirë edhe në ambiente të tjera dhe në disa kompani që lidhen me çështjen.
Sipas raportimit, gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente, kontrata private dhe materiale të tjera, ndërsa janë kontrolluar edhe ambiente të lidhura me KAYO-n. Hetimi, sipas Lalës, po mbahet me shumë rezervë nga SPAK dhe numri i kontrolleve është i lartë.
Kontrolle janë kryer edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku, sipas burimeve të raportuara, janë sekuestruar dokumente që lidhen me praktika dhe kontrata. Po ashtu, në kuadër të hetimit janë kryer kontrolle personale, ndërsa pritet që të merren në pyetje persona të ndryshëm, përfshirë edhe Ron Yeffet. Raportimet e sotme konfirmojnë se kontrollet janë kryer me miratim gjykate.
Lala tha se në hetim mund të përfshihen edhe zyrtarë të lartë, ndërsa burime të rezervuara kanë bërë me dije se po bashkëpunohet edhe me autoritetet e huaja për verifikimin e aktivitetit që dyshohet si i paligjshëm. Hetimi pritet të shtrihet edhe jashtë Shqipërisë.
Emri i Ron Yeffet është përmendur nga Arben Ahmetaj në audiopërgjimet e publikuara prej tij, ku ish-zëvendëskryeministri ka ngritur pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe ka lidhur këtë çështje me KAYO-n dhe kompani të sektorit të mbrojtjes. Këto janë pretendime të bëra publike nga Ahmetaj dhe tashmë janë objekt verifikimi nga autoritetet.
Sipas gazetares Klodiana Lala, gjatë kontrolleve janë marrë edhe materiale elektronike, dokumente dhe kompjuterë. Ajo raportoi gjithashtu se kontrollet vijojnë dhe se, për shkak të natyrës së hetimit, nuk përjashtohet marrja në pyetje e personave të tjerë që mund të kenë dijeni për çështjen. Hetimi vijon, ndërsa priten të dalin më shumë detaje mbi objektin e kontrolleve, personat që do të pyeten dhe materialet e sekuestruara.
The post Detajet e operacionit “top secret”/ Jo vetëm banesa e Ron Yeffet, BKH kontrolle në disa kompani dhe zyra, sekuestron dosjet te “Kayo” appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


