Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se investimet e realizuara në lagjen Sahat Kullë nuk kanë përfshirë vetëm asfaltimin e rrugëve, por një rikonstruim të plotë të infrastrukturës, duke nisur nga rrjetet që shtrihen nën rrugë deri te asfaltimi përfundimtar.
Në kuadër të punimeve janë ndërtuar 1.400 metra rrjet krejtësisht i ri i ujësjellësit, me lidhjen e çdo shtëpie dhe vendosjen e hidrantëve nëntokësorë në çdo rrugë. Njëkohësisht është ndërtuar kanalizim i ri fekal, me lidhjen e të gjitha shtëpive, si dhe kanalizim i ri atmosferik me gryka të reja për grumbullimin dhe largimin e ujërave nga rrugët.
“Në Sahat Kullë nuk kemi bërë arnime dhe ndërhyrje sipërfaqësore. Kemi rindërtuar infrastrukturën nga themelet: ujësjellës të ri, kanalizim fekal të ri, kanalizim atmosferik të ri dhe, në fund, asfalt të ri në të gjitha rrugët. Ky është një investim i plotë, nga infrastruktura që shtrihet nën rrugë, deri te asfaltimi përfundimtar që shihet sot. Kështu do të vazhdojmë edhe në lagjet e tjera të Çairit”, deklaroi Mexhiti.
Pas përfundimit të rrjeteve të reja të ujësjellësit dhe kanalizimit, asfalti i vjetër është larguar dhe të gjitha rrugët e përfshira në projekt janë asfaltuar tërësisht, duke përmbyllur kështu një investim të plotë në infrastrukturën e lagjes Sahat Kullë.






