Memedali Jusufi
Një studim i ri ka treguar se edhe pak kohë në natyrë mund t’ju ndihmojë të ndiheni më pak të stresuar. Studiuesit zbuluan se vetëm 20 deri në 30 minuta jashtë në natyrë, në një park ose pyll, mund të ulin ndjeshëm nivelin e hormoneve të stresit në trupin tuaj.
Në këtë studim, 44 persona kaluan kohë në natyrë tre herë në javë për dy muaj. Ata mund të zgjidhnin vetë se kur, ku dhe sa kohë të qëndronin jashtë, por duhej të ishte gjatë ditës dhe pa përdorur celularin apo lexuar. Disa thjesht shëtisnin, të tjerë uleshin në një vend të qetë, ose thjesht qëndronin në natyrë.
Para dhe pas këtyre “pushimeve natyrore”, studiuesit matën nivelin e kortizolit, një hormon stresi, tek pjesëmarrësit. Ata zbuluan se pas vetëm 20 minutash në natyrë, niveli i kortizolit u ul mesatarisht me 10%.
Natyra sheron shpirtin
Studiuesit vunë re se sa më gjatë qëndronin njerëzit në natyrë (deri në 30 minuta), aq më shumë ulej stresi. Por edhe 20 minuta ishin të mjaftueshme për të ndjerë një ndryshim të mirë. Përveç uljes së stresit, pjesëmarrësit thanë se kishin edhe presion më të mirë të gjakut, nivel më të shëndetshëm të kolesterolit dhe ndiheshin përgjithësisht më mirë.
Studiuesit sugjerojnë që të shkoni në natyrë kur keni kohë dhe të mos shpërqendroheni nga gjëra të tjera. Ata këshillojnë të filloni me vetëm 5 minuta në ditë dhe gradualisht të shtoni kohën deri në 20-30 minuta, tre herë në javë.
Ky studim tregon qartë se të kalosh kohë në natyrë është një mënyrë e thjeshtë, e lirë dhe e mirë për të ulur stresin dhe për t’u ndier më mirë fizikisht dhe mendërisht. Në ditët e sotme kur jemi gjithnjë të zënë dhe të lidhur me teknologjinë, pak kohë në natyrë mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për t’u kujdesur për veten.