Nga Bledi Kore
Tashmë shtëpia e lindjes së korifeut të letrave shqipe, Ismail Kadare, në Gjirokastër po shërben si një qendër e rëndësishme jo vetëm për vizitorët vendas dhe të huaj, por edhe për nxitjen e organizimeve artistike dhe kulturore. Shtëpia e restauruar plotësisht çeli dyert në 80-vjetorin e lindjes së Kadaresë. Në këtë sezon turistik ajo po shërben si muze për jetën dhe veprën e shkrimtarit të njohur, duke u vizituar nga banorë të Gjirokastrës, nxënës shkollash dhe të rinj si dhe turistë të shumtë.
Në mjediset e brendshme të shtëpisë
“Shtëpia Kadare “ vazhdon të tërheqë gjithmonë e më shumë interesimin e grupeve të turistëve që mbërrijnë në Gjirokastër, të cilët kanë kërshërinë të shohin nga afër shtëpinë e lindjes së korifeut të letrave shqipe, Ismail Kadare. Gjatë këtyre javëve ajo ka pritur vizitorë të shumtë
duke u bërë një ndër pikat më të kërkuara për turistët që vizitojnë qytetin. “Gjatë këtyre ditëve të sezonit turistik ne kemi pritur grupe të shumtë nxënësish dhe studentë jo vetëm nga Gjirokastra, por edhe rrethe të tjera të vendit, të cilët vizitojnë plot kërshëri shtëpinë ndërkohë që banesa e gurtë është vizituar edhe nga turistët e huaj”, thotë Bruno Pjetri, ciceroni i “Shtëpisë Kadare”.
Turistët vendas apo të huaj kërkojnë të shikojnë dhe prekin nga afër muret dhe harqet e gurta të shtëpisë në të cilën ka lindur dhe ka kaluar fëmijërinë dhe rininë e hershme Kadareja. “Shume herë më është dashur që të udhëzoj turistët për shtëpinë e Kadaresë dhe vendndodhjen e saj”, thotë njeri prej banorëve të lagjes Palorto, duke shpjeguar se shtëpia e gurtë kërkohet vazhdimisht nga vizitorët. Krahas punës në shërbim të vizitorëve stafi që përkujdeset për banesën Kadare vazhdon të punojë edhe për mbledhjen e relikeve të ndryshme që lidhen me jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit.
“Viti Kadare” gjallëron Gjirokastrën
Nisma e ndërmarrë nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Gjirokastrës për” Vitin Kadare” po gjallëron qytetin e Gjirokastrës. Në kuadër të programit të aktiviteteve në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit vazhdojnë organizimet e ndryshme duke sjellë në Gjirokastër mysafirë të shumtë vendas dhe të huaj. “Përgjatë gjithë këtij viti ne kemi programuar dhe realizuar organizimin e aktiviteteve të shumta artistike dhe kulturore, të cilat kanë në qendër jetën dhe krijimtarinë letrare të Ismail Kadaresë. Madje në disa prej tyre të zhvilluara në pranverë pjesëmarrës ishte edhe shkrimtari i njohur”, pohon kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami.
Organizimi i veprimtarive nga nxënësit dhe të rinjtë, çelja e ekspozitave në pikturë, shfaqja e filmave dokumentarë etj., jo vetëm që po sjellin elementë të panjohur më parë për jetën dhe veprën e shkrimtarit, por po gjallërojnë edhe jetën artistike në Gjirokastër. “Viti Kadare” është një motiv i preferuar edhe për nxitjen e turizmit. Mjeshtrit artizanë në Gjirokastër e kanë kthyer imazhin e Kadaresë në motiv të preferuar të suvenireve turistike dhe punimeve karakteristike. Në këto ditë Kadareja po kthehet në motiv të preferuar edhe për krijuesit e arteve figurative në Gjirokastër. Skulptori Bledar Kaçi është duke realizuar një moment të Kadaresë në bronz, të cilin synon ta vendosë në njërin prej shesheve kryesorë të qytetit.