Pas më shumë se një muaji, Bashkësia Fetare Islame e RMV-së ka reaguar zyrtarisht ndaj një manipulimi mediatik, ku në video promovuese për një shampon të rremë është përdorur imazhi dhe zëri i Reisul Ulemasë.
Megjithatë, ky reagim ka nxitur kritika nga një pjesë e opinionit dhe besimtarëve, të cilët pyesin pse institucioni nuk ka reaguar me të njëjtën vendosmëri për çështje shumë më të rëndësishme që prekin myslimanët.
Sipas reagimit kritik, prej vitesh BFI nuk është prononcuar për krimet kundër njerëzimit ndaj myslimanëve, veçanërisht në Gaza dhe Palestinë, nuk ka reaguar ndaj rasteve të islamofobisë në vend, nuk ka mbajtur qëndrim për organizatat paralele fetare, keqpërdorimin e fesë apo akuzat për abuzime brenda institucioneve fetare.
Si shembull përmendet edhe mungesa e një reagimi institucional gjatë debatit publik për pishinën e Tetovës, pavarësisht dimensionit fetar që mori diskutimi në opinion.
Në reagim thuhet se është paradoksale që BFI të reagojë për një “shampon fallco”, ndërsa për vite të tëra nuk ka reaguar ndaj imamëve, teologëve dhe profileve fetare fallco, të cilat, sipas autorëve të reagimit, kanë dëmtuar autoritetin dhe autenticitetin fetar.
Në fund, autorët të cilët prezantohen si anëtarë të BFI-së, imamë dhe xhemat aktiv i bëjnë thirrje udhëheqjes së BFI-së që t’i hapë rrugë meritokracisë, profesionalizmit dhe traditës autentike islame të këtyre trojeve, duke u përqendruar në misionin institucional dhe përgjegjësinë ndaj vakëfit dhe besimtarëve.


