Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri, në emisionin “IMPAKT” në TV SHENJA, ka komentuar rastet e fundit të ndalimit të personave që kanë manifestuar publikisht me flamurin kombëtar, si dhe rastin e studentit të ndaluar. Ai ka vlerësuar se këto veprime mund të jenë paralajmërim për qytetarët që shprehin pakënaqësi ndaj qeverisë.
“Sigurisht se këtë mund ta konsiderojmë si një paralajmërim se çdokush që do të tentojë të festojë në mënyrë publike me flamurin tonë kombëtar apo ngre zërin e pakënaqësisë ndaj kësaj qeverie, do të ballafaqohet me situatë të këtillë.
Mua më vjen keq për këta djem, të cilët janë munduar që përmes manifestimit të tyre të tregojnë qëndrimet e tyre, edhe në rastin e festës që kanë bërë në Kumanovë me flamurin kombëtar, por edhe në rastin e studentit që është ndaluar.
Po mundohen t’i frikësojnë studentët, t’i frikësojnë të rinjtë, t’u paraqesin se shteti është këtu për t’i përcjellë dhe t’u bëjnë presion që në të ardhmen të mos guxojnë të mendojnë.
Ju e shihni se ky shtet ka filluar edhe përmes presionit në gjyqësor, sepse vetë rekomandimet edhe të raportit të Komisionit Evropian janë në këtë drejtim, se ndikimi i qeverisë në gjyqësor është i jashtëzakonshëm. Thjesht, jo rastësisht ka një mosbesueshmëri të qytetarëve ndaj gjykatave”, deklaroi deputeti i ASH-së, Rijad Shaqiri.


