11 Korriku Kur Heshtja Kushtoi Jetë
Gjenocidi i Srebrenicës mbetet një nga plagët më të rënda në ndërgjegjen e Evropës dhe të njerëzimit. Ai na kujton se heshtja, indiferenca dhe dështimi për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin njerëzor nuk i përkasin vetëm së kaluarës, por vazhdojnë të jenë sfida që kërkojnë vigjilencë të përhershme. Srebrenica është një paralajmërim se pa kujtesë, pa drejtësi dhe pa përgjegjësi morale, rreziku i përsëritjes së tragjedive të ngjashme mbetet gjithmonë i pranishëm.
Shkruan; Hamzi Ibraimi
Ka ngjarje historike që me kalimin e kohës mbeten vetëm në faqet e librave. Por ka edhe ngjarje që vazhdojnë të jetojnë në ndërgjegjen kolektive si plagë të hapura, si paralajmërime të vazhdueshme dhe si thirrje morale për përgjegjësi. Srebrenica i përket kësaj kategorie. Kanë kaluar shum e shum vite nga korriku i vitit 1995, por emri i Srebrenicës ende mbart peshën e një dhimbjeje që nuk është zbehur. Për shumë njerëz kjo është një datë e rëndësishme e historisë moderne evropiane. Për familjet e viktimave, për nënat që vazhdojnë të kërkojnë eshtrat e bijve të tyre dhe për ata që mbijetuan, ajo mbetet një realitet i përditshëm. Srebrenica nuk është vetëm një vend në hartën e Bosnjë e Hercegovinës. Srebrenica nuk është vetëm një datë përkujtimore dhe as një ngjarje që mund të përmblidhet me statistika. Ajo është simbol i dhimbjes njerëzore, i dështimit të ndërgjegjes ndërkombëtare dhe dëshmi e asaj se çfarë mund të ndodhë kur urrejtja tolerohet, kur propaganda zëvendëson të vërtetën dhe kur jeta njerëzore humbën vlerën e saj. Në korrikun e vitit 1995, më shumë se tetë mijë burra dhe djem boshnjakë myslimanë u vranë në mënyrë sistematike. Mijëra familje u ndanë përgjithmonë. Gratë mbetën pa bashkëshortë, fëmijët pa baballarë dhe komunitete të tëra humbën strukturën e tyre njerëzore, sociale dhe familjare.
Por tragjedia e Srebrenicës nuk përfundoi me ekzekutimet.
Për shumë familje, vuajtja vazhdoi në heshtje, ku filloi një pritje e gjatë për të gjetur një trup, një varr, një emër dhe një përgjigje. Për vite me radhë, shumë prindër, bashkëshorte dhe fëmijë jetuan mes shpresës dhe pasigurisë. Edhe sot, pas shumë viteve, vazhdojnë identifikimet e viktimave dhe ceremonitë e varrimit në Potoçari. Kjo e bën Srebrenicën jo vetëm një tragjedi të së kaluarës, por edhe një plagë që vazhdon të prekë të tashmen. Prandaj, çdo përvjetor i Srebrenicës nuk duhet të jetë thjesht një moment ceremonial. Por duhet të jetë një ndalesë morale dhe një reflektim kolektiv. Poashtu duhet të jetë momenti kur shoqëritë tona të pyesin veten: A kemi mësuar mjaftueshëm nga ajo që ndodhi? Sepse historia shpesh na krijon përshtypjen se tragjeditë nuk ndodhin vetëm larg nesh ose në kohëra të tjera. Por Srebrenica ndodhi në zemër të Evropës moderne.
Kjo është një nga të vërtetat më të vështira që Srebrenica na detyron që të pranojmë: se progresi ekonomik, zhvillimi institucional dhe deklaratat politike nuk janë garanci automatike për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Sepse tragjeditë nuk fillojnë me armë, ato fillojnë me gjuhën që përjashton. Fillojnë me normalizimin e urrejtjes, me ndarjen mes “nesh” dhe “atyre”. Me mohimin e dinjitetit të tjetrit, dhe me indiferencën ndaj vuajtjes së tjetrit. Sot, kur në shumë vende të botës shohim rritje të retorikave përjashtuese, tensioneve identitare, diskriminimit dhe polarizimit shoqëror, kujtesa e Srebrenicës bëhet edhe më aktuale. Nuk mjafton të thuhet se historia nuk duhet të përsëritet. Duhet të kuptojmë mekanizmat që e bëjnë të mundur përsëritjen e saj dhe të reagojmë para se të jetë vonë. Kujtesa nuk ka vlerë nëse mbetet vetëm ceremoni, Sepse kujtesja ka kuptim vetëm kur shndërrohet në përgjegjësi. Dhe përgjegjësia të bëhet obligim për të edukuar brezat e rinj, Përgjegjësi për të mbrojtur dinjitetin njerëzor. Sepse përgjegjësia nuk duhet të jetë vetëm për të reaguar ndaj diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes. Sepse të rinjtë nuk kanë nevojë vetëm të mësojnë datat historike. Por ata duhet të kuptojnë kuptimin moral të historisë. Ata duhet të kuptojnë se tragjeditë nuk janë të pashmangshme. Ato ndërtohen gradualisht përmes vendimeve, qëndrimeve dhe heshtjeve të njerëzve. Pikërisht për këtë arsye, kujtimi i Srebrenicës duhet të mbetet pjesë e edukimit qytetar, kulturës demokratike dhe ndërgjegjes sonë kolektive. Të kujtosh nuk do të thotë të mbetesh peng i së kaluarës. Por të kujtosh do të thotë të mbrosh të ardhmen. Sepse në Potoçari, çdo vit lexohen emrat, për shumicën e njerëzve mund të jenë emra të panjohur. Por për dikë ata janë bij, bashkëshortë, vëllezër, prindër dhe miq. Pas çdo emri fshihet një jetë e ndërprerë, një familje e plagosur dhe një histori që nuk pati mundësi të vazhdonte. Për këtë arsye, përvjetori i Srebrenicës nuk duhet të shihet si një ritual i zakonshëm. Ai duhet të jetë një akt i vazhdueshëm ndërgjegjësimi dhe një riafirmim i vlerave universale të njerëzimit.
Tash është momenti kur riafirmojmë se dinjiteti njerëzor nuk ka përkatësi etnike, fetare apo kombëtare.
Është momenti kur kujtojmë se drejtësia nuk është hakmarrje dhe se pranimi i së vërtetës nuk dobëson askënd. Përkundrazi, është kushti minimal për pajtim të sinqertë dhe paqe të qëndrueshme. Sepse nëse duam paqe reale në Ballkan dhe më gjerë, nuk mjafton të flasim vetëm për stabilitet. Por duhet të flasim për kujtesën, për të vërtetën, për drejtësinë dhe për përgjegjësinë. Sepse pa drejtësi, paqja mbetet e brishtë, dhe pa të vërtetën, pajtimi mbetet formal, Ndërsa pa kujtesën, viktimat rrezikojnë të humbasin për herë të dytë këtë herë në heshtje. Prandaj, në çdo 11 korrik, ne nuk kujtojmë vetëm atë që ndodhi në vitin 1995, ne kujtojmë detyrimin tonë për të mos heshtur, detyrimin për të mbrojtur të vërtetën, dhe detyrimin për të mbrojtur dinjitetin njerëzor. Dhe detyrtyrimin për të reaguar kur shfaqet urrejtja, diskriminimi dhe padrejtësia.
Sepse Srebrenica nuk është vetëm histori. Srebrenica është ndërgjegje. Është përgjegjësia jonë për të kujtuar, për të thënë të vërtetën dhe për të mos lejuar që harresa të bëhet aleate e krimit. Mënyra se si e kujtojmë Srebrenicën tregon edhe vlerat mbi të cilat ndërtojmë të ardhmen. Vetëm duke ruajtur kujtesën, duke mbrojtur drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor, mund të themi me bindje,kurrë më.


