Dy persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë në një aksident të rëndë komunikacioni që ka ndodhur rreth orës 2:00 pas mesnate në rrugën komunale Ilinden–Miladinovci, pranë bazës policore Brest afër Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.
Sipas Prokurorisë Themelore Publike Shkup, janë përplasur drejtpërdrejt një automjet “Opel Corsa” me targa të Kumanovës, i drejtuar nga një 19-vjeçar nga Kumanova, dhe një “Hyundai i30”, i drejtuar nga një 51-vjeçar, banor i fshatit Marino.
Në vendngjarje kanë ndërruar jetë 51-vjeçari që drejtonte mjetin “Hyundai” dhe djali i tij 18-vjeçar. Të lënduar rëndë kanë mbetur vajza 18-vjeçare e shoferit të ndërruar jetë, si dhe 19-vjeçari që drejtonte “Opel Corsa”-n së bashku me pasagjerin e tij të së njëjtës moshe. Të dy janë transportuar në spital në gjendje kritike për jetën.
Këqyrjen e vendit të ngjarjes e kanë kryer prokurori kujdestar nga PTP Shkup, një ekspert dhe ekipet e MPB-së.
Prokurori publik ka lëshuar urdhëresë për obduksion të trupave të të ndjerëve, ndërsa po ndërmerren veprime shtesë për përcaktimin e shkaqeve të këtij aksidenti.




