Ish-missi dhe këngëtarja e njohur, Drenusha Latifi, ka shprehur indinjatën e saj ndaj Edona Llalloshit, pas tragjedisë së Arlinda Zekajt në Pejë. Reagimi i saj ka tërhequr vëmendjen e publikut, duke nxitur diskutime të shumta mbi përgjegjësinë e figurave publike në raste të tilla.
Latifi, përmes një postimi në Facebook, e ka kritikuar ashpër deputeten Llalloshi për heshtjen e saj në lidhje me vrasjen e Arlindës, duke e vënë në dyshim angazhimin e saj si anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në Kuvendin e Kosovës.
“Edona Llalloshi, për vete mbrojtje, për Arlindën heshtje!”, ka shkruar Latifi, duke theksuar se reagimi i Llalloshit për situata të ngjashme është i papranueshëm.
Ajo ka bërë një krahasim mes situatës së saj dhe asaj të Arlindës, duke pretenduar se institucionet kishin vepruar kur Llalloshi kishte kërkuar ndihmë, ndërsa Arlinda, e cila kishte kërkuar mbrojtje, përfundoi tragjikisht.
“Kur ti kërkove mbrojtje, institucionet vepruan dhe bashkëshorti yt u arrestua disa herë. Arlinda kërkoi mbrojtje, por përfundoi e vrarë”, ka theksuar ajo, duke e bërë të qartë se situata është e papranueshme.
Drenusha ka vënë në pikëpyetje rolin e Llalloshit në Kuvend, duke e pyetur se çfarë vlere ka pozita e saj nëse zëri i saj nuk dëgjohet në raste të tilla tragjike.
“Ti je anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore. Çfarë vlere ka kjo pozitë nëse zëri yt nuk dëgjohet kur gratë vriten? Pushteti nuk është privilegj për veten, por përgjegjësi për t’i mbrojtur ato që nuk kanë zë”, ka shkruar këngëtarja, duke kërkuar një angazhim më të fortë nga figura publike.
Në përfundim, Latifi ka kritikuar mënyrën se si po funksionon përfaqësimi në Kuvendin e Kosovës, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë ndaj deputetes. “Parlamentin e keni bo sfilat, defilim, pos unë në vakt Missllakun tem e kom majt kshtu ani ju Pharlamentin. A je tu e qalldis najkah…..!”, ka përfunduar ajo, duke shprehur shqetësimin për situatën aktuale.



