Bota i ka thënë sot lamtumirën e fundit Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta më 21 Prill në Romë në moshën 88-vjeçare.
Arkivoli me trupin e pajetë të Papës mbërriti rreth orës 13:00 në Bazilikën Santa Maria Maggiore, vendi ku Ati i Shenjtë do të prehet. Kur makina papale mbërriti, shumë besimtarë nga sheshi filluan të bërtasin: “Rroftë Françesku, rroftë Françesku” dhe duartrokisnin.
Momenti i varrimit do të jetë privat për të mundësuar nderimet e fundit nga njerëzit më të afërt të Papës.
Riti i varrimit filloi rreth orës 10:00, ndërsa këmbanat ranë në Sheshin e Shën Pjetrit. Pas homazheve, arkivoli u kthye në Bazilikën e Shën Pjetrit, ndërsa këmbanat filluan të binin sërish.
Makina papale që mbante arkivolin kaloi nëpër një itinerar të gjatë, duke përfshirë Galleria Pasa, Corso Vittorio, Piazza Venezia, Via dei Fori Imperiali dhe Via Labicana, dhe mbërriti në Bazilikën Santa Maria Maggiore nga Via Merulana, ku do të prehet Papa Françesku.
Ndërkohë, mijëra besimtarë ishin mbledhur pas barrierave përgjatë rrugës gjashtë kilometrash që do të kalonte kortezhi i varrimit. Raportohet se 100 mijë njerëz ishin mbledhur në Via della Conciliazione. Pjesëmarrës në ceremoni ishin edhe 160 delegacione të krerëve të shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota.