Problemi i parkimit në Gostivar mbetet një nga çështjet që prek përditshmërinë e qytetarëve, ndërsa rritja e kapaciteteve të parkimit tashmë është vendosur ndër prioritetet e Ndërmarrjes “Parkingjet dhe Gjelbërimi” në Gostivar. Kjo është një nga pikat që bie më shumë në sy në raportin për 100 ditët e fundit, gjatë kohës që ndërmarrja po drejtohet nga drejtori i ri. Për periudhën e ardhshme, ndërmarrja paralajmëron se do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve të parkingut zonal, krahas vazhdimit të mirëmbajtjes së parqeve, trotuareve dhe hapësirave publike. Në dokument nuk specifikohet se sa vende të reja parkimi planifikohen të krijohen, por rritja e kapaciteteve është përcaktuar si një nga prioritetet themelore.
Në qytetin e Gostivarit ka gjithsej rreth 900 vende parkimi, ndërsa nevojat për parkim janë të mëdha. Nevoja për më shumë vende parkimi vërehet veçanërisht gjatë sezonit veror, kur në Gostivar kthehen mërgimtarët. Atëherë dyfishohet numri i automjeteve dhe kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme.
Në anën tjetër, raporti i Ndërmarrjes “Parkingjet dhe Gjelbërimi” nxjerr në pah edhe gjendjen financiare të ndërmarrjes. Sipas të dhënave, për tremujorin e dytë të vitit janë realizuar mbi 8 milionë denarë të ardhura, ndërsa shpenzimet kanë arritur në rreth 6.7 milionë denarë. Diferenca rezulton me një suficit prej 1.296.773 denarësh. Gjatë periudhës së raportuar janë kryer edhe pagesa në vlerë prej një milion denarësh, kryesisht ndaj furnitorëve dhe punëtorëve. Përveç kësaj, 186.000 denarë janë përdorur për shlyerjen e detyrimeve të vjetra, me synimin për të ulur detyrimet e prapambetura dhe rrezikun nga procedurat përmbarimore.
Por gjatë këtyre 100 ditëve, ekipet e ndërmarrjes kanë qenë vazhdimisht në terren, duke kositur dhe mirëmbajtur hapësirat e gjelbra, duke pastruar rrugët dhe trotuaret, si dhe duke mirëmbajtur parqet dhe hapësirat përgjatë lumit Vardar, si dhe hapësirat pranë shkollave dhe institucioneve.
Një tjetër prioritet i theksuar është siguria e qytetarëve. Gjatë kësaj periudhe janë larguar drunj të thatë, të dëmtuar apo të rrëzuar, të cilët paraqesin rrezik për qytetarët dhe automjetet. Shërbimet e kësaj ndërmarrjeje janë shtrirë edhe jashtë qendrës së qytetit, në një numër të madh vendbanimesh të Komunës së Gostivarit. Ndërmarrja thekson se synimi për periudhën e ardhshme është që shërbimet të shpërndahen sa më barabartë në qytet dhe në vendbanime. Në këtë formë, Ndërmarrja “Parkingjet dhe Gjelbërimi” në Gostivar vendos në tavolinë tre sfidat kryesore për të ardhmen: më shumë kapacitete për parking, mirëmbajtje dhe siguri më të madhe në hapësirat publike, si dhe disiplinë më të fortë financiare. (koha.mk)




