I nderuar kalorës i famshëm i Mançës!
Përgjigjet tuaja në letrën time të parë ndaj zonjës suaj, Dylqinjë, më lanë kënaqësinë e madhe të besoj se mund të vazhdoj pyetjet drejt teje. Ndihem me fat për këtë mundësi që më dhatë, ndaj, nëse më lejoni ende, desha këtë herë t’ju pyes në lidhje me një çështje shumë të rëndësishme të vërejtur në udhëtimet tuaja, siç është marrëdhënia me Sanço Pançon. Kur u nisët për të realizuar aventyrat që iu kishin feksur në mendje, ju besonit në diçka të madhe. Por Sanço vendosi të vinte me ju për krejt tjetër gjë – për pasurinë që do të pasonte fitoret e tua. Atëherë, nëse më lejoni t’ju pyes, si është e mundur që një person aq ndryshe nga ju të bëhej pikërisht shoqëruesi, e më pas, edhe bashkëbiseduesi juaj?
Sanço Panço duket sikur nuk beson në dashurinë, nuk beson në triumfin e së mirës. Madje as që duket ndokund se do i interesojnë të tilla ide. Ai është tmerrësisht i lidhur vetëm me atë çka do fitojë materialisht dhe gjithçka tjetër i duket e kotë. Por, gjithsesi, nëse më lejoni, në disa raste, kur ju ka kërkuar të tërhiqeshit nga betejat tuaja, ku ju mund të dëmtoheshit keqas, duket se ai ka pasur të drejtë, madje ka logjikuar si një i urtë.
Falmëni në këmbënguljen time dhe për guximin për t’iu pyetur për mikun tuaj kaq drejtpërdrejt, por lejomëni t’ju them se arsyeja që më shtyn t’ju shkruaj për bashkëbiseduesin tuaj drejt bëmave që ndërmorët nëpër krahinë, është fakti se, për këdo nga ne, mbetet me shumë rëndësi njeriu me të cilin kërkojmë të bashkudhëtojmë drejt asaj që dëshirojmë të arrijmë. Ndaj, a mund të arrijmë atje ku dëshirojmë edhe nëse kemi si shok të udhëtimit një Sanço?
I juaji, Agim….
Përgjigje këndonjësit tim këmbëngulës
I dashur Agim
Unë nuk kam ngurruar të dëgjoj kritikat e Sanço Panços, e madje edhe të pranoj këshillat e tij. Vërtet atij duket sikur i mungon imagjinata, aftësia për të ëndërruar, por ai është një vëzhgues shumë i hollë i gjithçkaje që sheh rreth e rrotull. Ai sheh ku hedh hapin, nuk e mban kokën lart ndonjëherë si unë. Ai nuk fluturon, por edhe nuk rrëzohet. Nuk di të të them nëse kjo ecje mund ta dërgojë atje ku ai dëshiron. Ndoshta atij nuk i janë dashur kurrë ëndrrat e mia. E di, që me hapin ngjitur me tokën, ai do të jetë i aftë gjithnjë të ushqehet e të mbrohet edhe pse nuk do të arrijë të fluturojë dot kurrë për të qenë diku larg. Por ndoshta atij nuk i duhet aspak të ëndërrojë. Ndihet i lumtur ashtu, me atë që sheh, me hapin që hedh. Ah, ndoshta po buzëqesh tani me këto fjalët e mia. Mos u habisni miku im, por nuk po kërkoj t’ju vë në lojë. Unë e di se sa e rëndësishme është të kesh ëndërr. E di se për një njeri është e rëndësishme të ëndërrojë. Por ndonjëherë një Sanço është i mirë për të gjithë ne, për të na bërë thirrje për të zbritur nga kali i mendimeve tona nëse ai është një Rosinant që nuk ecën, sepse ndoshta nuk arrijmë kurrë të zgjohemi e të mbetemi thjesht një rob i imagjinatës.
Unë e di që jam pjesa që i mungon Sanços. Por edhe ai është pjesa që më mungon mua. Ai është nevoja jonë për të ditur se jeta jonë, nuk është vetëm një ëndërr, por edhe një realitet. Që ne duhet ta besojmë se kemi rrokur bregun e gabuar dhe se plaga kërkon shërim.
Më pëlqen shumë të ëndërroj, por dua njëkohësisht të arrij të hap sytë në mëngjes, të shoh dritën e diellit dhe të kuptoj se cila stinë është përballë syve të mi. Nuk duhet ta kemi larg Sançon, por e rëndësishme është të mos përfundojmë mbi gomarin e tij për gjithë jetën, por veçse për një copë udhë.
Me arsyen e arsyes, miku juaj,
dv.Don Kishot