Muhedin BRAVA
Ditë më parë në dyqanin tim erdhi një ish arsimtar im, pensionist, dhe nuk e di se pse e derdhi një mal me mllef. O Mujë, kurvëria nuk identifikohet vetëm me ata burra apo gra që shkojnë me burra apo gra tjera. Kurvëri është edhe spiunimi, vjedhja, gënjeshtra, mashtrimi. Mbaje në mend, kurvëria ka 1001 fytyrë. Nuk kanë thënë kot se politika është kurva më e madhe. Në këtë lloj politike mund të përparosh vetëm nëse je analfabet dhe i dëgjueshëm. Ngjitesh përpjetë pa problem. Po tregove se ka nja tetë vjet shkollë, të ha dreqi, të shtypin, të bëjnë patos. Kurvërinë e ke në shkolla, fakultete, mediume, midis do alamet analistave, të cilët sa herë e hapin gojë, japin autogola, në Çarshi, në spitale, këmbëkryq qëndron ulur para sporteleve, në Bit Pazar… I them: O arsimtar, do të bëhet mirë. Do të bëhet mirë, kur t’më mbuloni me dhe, aaaaa atëherë bëhet shumë mirë, tha ai, duke shtuar akoma nivelin e urrejtjes: kurrë më keq nuk ka qenë, o Mujë, kurrë. Ka humbur respekti, askush nuk të përfill, jemi bë si ata qentë e çartur, mundohemi ta përgjakim njëri tjetrin. Kur bëhet fjalë për pushtetin, ata s’njohin as babë e as nanë. Krejt janë lëshuar pas politikës, askush më nuk interesohet për mësimin, për kulturën, për traditën, s’ka mbet gjë nga identiteti ynë. O arsimtar, kalon kjo, i them me qëllim që ta qetësoj. Po, po, kalon, por mbetet e keqja e tyre, të cilës do t’ia shohim sherrin. O Mujë, vetëm në politikë dy edhe dy nuk bëjnë katër. Vetëm në politikë kurvat krihen e ne digjemi, tha ai dhe sakaq u zhduk diku midis njerëzve të Çarshisë së Vjetër.