Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një konferencë për media ka folur mbi tri kushtet e parashtruara nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, për dialogun Kosovë-Serbi.
Konjufca tha se qëndrojnë të vendosura për tri kushtet, derisa ngriti alarmin se në Serbi një grup prej qindra ushtarësh po përgatitet për sulm të mundshëm ndaj Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Ne si institucione qëndrojmë të vendosura sa i përket tri kushteve. Le të flasim për atë që është quajtur mos nënshkrimi i marrëveshjes, pikërisht për këtë, Serbia ka marrë pozicionin që nuk respekton marrëveshjen, E dyta, çështja e kryekriminelit Radoiçiqi, ai ndodhet i lirë dhe vepra e tij nga shteti serb po trajtohet më e lehtë se me qenë shkelje trafiku, plotësisht i lirë në Serbi dhe po mbrohet atje”, tha ai,
Kryetari i Kuvendit, tha se kanë informacione për disa përgatitje që po bëjnë disa qytetarë në Serbi, për ndonjë sulm të mundshëm.
“Institucionet tona kanë informacione të sakta se qindra persona po ushtrohen, po përgatiten për ndonjë sulm eventual. Por, ne jemi gjithmonë, dhe institucionet tona të sigurisë janë vigjilente dhe të përballemi me çka do që vjen nga Serbia, dhe me një koordinim edhe me institucionet ndërkombëtare dhe ushtarake që veprojnë në Kosovë”, theksoi ai.
Gjithashtu, Konjufca tha se kushtet e vendosura nga Kurti janë të arsyeshme dhe duhet sqaruar në mënyrë që dialogu të ketë sukses. /Telegrafi/