Konfirmohet angazhimi amerikan në Ballkan. Këtë e deklaron ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily, duke komentuar vizitën e nënpresidentit të SHBA-së, Majk Pens, i cili më 2 gusht në Podgoricë do të marrë pjesë në takimin e Kartës së Adriatikut. Këtë takim do ta bashkëkryesojë Republika e Maqedonisë.
“Pens para së gjithash do të flasë me partnerët dhe aleatët nga rajoni për përkushtimin e SHBA-së në këtë rajon. Mendoj se do të dëgjojmë porosi në atë temë. Ky është qëllimi esencial i vizitës. Karta e Adriatikut në të cilin SHBA-ja është pjesë përmes Republikës së Maqedonisë dhe anëtareve tjera rajonale është forum i shkëlqyer në të cilin ai do të mund të flasë dhe të njihet me liderët e rajonit”, tha Bejli në pyetjen e gazetarëve pas dërgimit të kontingjentit të ARM-së në stërvitjen ndërkombëtare “Sajber Gardian 2017”.
Maqedonia, së bashku me Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe BeH-në është anëtare e Kartës së Adriatikut, ndërsa Serbia, Kosova dhe Sllovenia kanë status të vendeve vëzhguese në grup. /SHENJA/