Presidenti serb: “Ballkani i Hapur ishte ideja ime, por ajo u ndërpre sepse disa fuqi të mëdha europiane nuk e kishin “timonin në duar”
Polemikës së zhvilluar për një kohë të gjatë në Shqipëri, nëse nisma e Open Balkan ishte një ide e Beogradit, që i vinte në ndihmë përpara së gjithash Serbisë, madje duke izoluar edhe Kosovën, i ka dhënë përgjigje më së fundi vetë presidenti Vuçiç. Ai e ka thënë publikisht se kjo qe një ide e tij, që më pas e përqafuan edhe kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai maqedonas Zoran Zaev. “Ballkani i Hapur ishte ideja ime, por ajo u ndërpre sepse disa fuqi të mëdha europiane nuk e kishin “timonin në duar”, tha ai në një intervistë me Alistair Campbell, në « The Rest is Politics », në plateformën Apple.
Pikërisht kjo thënie e presidentit serb është shkëputur për tu nxjerrë si titull kryesor edhe në mediat e këtij vendi.
Por, nga ana tjetër, për vite me radhë, para se të urdhërohej nga Ushingtoni që të dilte nga kjo nismë në korrik 2023, Edi Rama nuk e ka pranuar kurrë se kjo ide e kishte origjinën në Beograd.
Alternativa e Ramës: Ballkan i hapur, ose luftë dhe gjakderdhje
Ndërkohë që Albin Kurti, e dënonte këtë nismë duke këmbëngulur se qëllimet e rajonit arriheshin “më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operojmë me rregullat dhe vlerat e BE-së dhe ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë”, Rama e përbuzte këtë optikë. Ai i përgjigjej homologut të tij kosovar: “Ballkani i Hapur as nuk ndalet, e as nuk mbyllet. Kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet. Kush heziton, është i destinuar të humbë kohë”.
Madje edhe liderve evropianë Rama u kërkonte që në pamundësi për ti integruar vendet e Ballkanit në BE, ata duhet të përkrahnin Open Balkan. “Nëse Ballkani Perëndimor nuk mund të vijë në BE, ndoshta BE-ja mund të vijë në Ballkanin Perëndimor”, shkroi ai një artikull me emër në Politico, duke përsëritur të njëjtën tezë që hodhi gjatë një samiti në Bërno të Sllovenisë, mes BE dhe vendeve të rajonit, në tetor 2021. Dhe për të gjitha këto ai mori disa herë falenderimet e Vuçiçit: “pa vendosëmërinë dhe këmbënguljen e Ramës “Ballkani i Hapur” do të qe i pamundur”.
Rama i kërkon pazar BE: S’po na integroni, por mbështesni Ballkanin e Hapur”
Disa muaj pas Samitit të Bërnos, në krah të dy partnerëve të tij maqedonë dhe serbë ai kërcënoi se do e bojkotonte samitin e përbashkët me BE-në duke ngritur pyetjen: “Çfarë të bëjmë atje”? Por ama, kur më në fund shkuan “atje”, Rama gati i kërcënoi vendet evropiane:“Nëse nuk doni që rajoni ynë të shkatërrohet, mbështesni Ballkanin e hapur”. Ai përmendi në fjalimin e tij përpara liderve evropianë terma si luftë, konflikt, gjakderdhje, ndërkohë që po në atë date, në 24 qershor 2022, Vuçiç i thoshte të njëjtit auditor: “ne nuk duam që rajoni ynë të përfundojë si Ukraina”, duke dhënë si alternativë Open Balkan.
Një nga argumentat që Edi Rama jepte për të vazhduar aventurën e tij me Vuçiçin për të shpënë përpara “Open Balkan” ishte edhe ajo se këtë nismë e mbështesnin 59% e shqiptarëve. Në prilli të 2022 kryeministri zhvilloi të ashtuquajturin Këshillim Kombëtar, ku nga mbi gjoja 500 mijë të pyetur rezultonte se shumica ishin pro një rajoni me lëvizje të lirë të njerëzve mallrave dhe ideve. Madje disa ditë pasi i shpalli këto rezultate publikisht Rama shkoi gjatë një vizite zyrtare në Berlin dhe tha në krah të kalcelarit Sholtz se pavarësisht se Gjermania i kërkonte fokusim tek procesi i Berlinit, ai kishte mandatin e Shqiptarëve për të shpënë përpara idenë serbe.
Megjithatë me kalimin e kohës disa sekrete filluan të dalin. Faktin se kishim të bënim me një ide serbe e pranoi fillimisht Moska me gojën e ministrit të saj të jashtëm, në qershor 2022. Shefi i diplomacisë ruese, Sergei Lavrov e pati pohuar me plot gojën se Ballkani i hapur është një nismë serbe dhe se ndryshe nga Brukseli që do një gadishull të mbyllur, Moska e mbështet atë si të tillë.
Më vonë, ndërkohë që Open Balkan kishte vdekur, u shtuan zërat që denonconin projektin e tij të mbrapshtë. Në shtator 2024 idërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, bëri një deklaratë shumë të fortë në televizionin e Prishtinës, RTK duke pohuar se nisma e Ballkanit të hapur ishte konceptuar si një akt kundër Kosovës. “Ballkani i Hapur u krijua për ta anashkaluar Kosovën” tha ai në ligjëratë të drejtë.
Andi Bushati: Kërcënimi gjerman që nxjerr bllof Ramën
Dhe tani, kur kjo aventurë e rrezikshme ka përfunduar dhe ajo i vlen vetëm historianëve për të dokumentuar se kush ka pasur të drejtë dhe se cili ka qenë hipokrit, është vetë presidenti serb që i ka vënë pikat mbi “I”. Ai e ka pranuar se nisma ka qenë e tij duke i lënë Edi Ramës vetëm njollën e një mbrojtësi patetik të një ideje që në fund e detyruan ta braktise me bisht në shalë.
©Lapsi.al


