10 September 2018 / 15:13
Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiç porositi që procesi i referendumit të reflektoj vullnetin e lirë të qytetarëve dhe pa përzierje nga jashtë. Ndërkohë e pyetur nëse Komisioni Evropian do ti ndihmojë shtetit të Maqedonisë në luftën kundër lajmeve të rrejshme-ndikimit të faktorëve të jashtëm në fushatë, Kociançiç tha se Evropa po i ndanë praktikat e tyre më të mira dhe se referendumi po organizohet nga një shtet sovran që është i aftë për zbatimin e këtij procesi.
BE-ja e mbështeti marrëveshjen e arritur për emrin, tani duhet të bëhen një varg hapash që marrëveshja të jetë definitive. Referendumi është momenti kur populli mund të shfrytëzojë të drejtën e tij demokratike, ky është momenti i rëndësishëm për ta që të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre dhe duhet të iu mundësohet që këtë ta bëjnë pa përzierje nga jashtë – deklaroi Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Nga ana tjetër Ambasada Ruse në Maqedoni ka reaguar ndaj thirrjes së Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, i cili apeloi shqiptarëve të Maqedonisë që të dalin në referendumin e 30 shtatorit dhe të votojnë “PËR” marrëveshjen me Greqinë.
Ditëve të fundit nuk janë të rralla sugjerimet e liderëve të huaj për qytetarët e Maqedonisë për votimin në referendum. Interesante, çka do të ndodhte nëse një përfaqësues zyrtarë i Rusisë të jepte ‘Këshilla’ të tilla – shkruhet në Tuiter nga Ambasada Ruse.
Intensifikimi i vizitave nga faktori ndërkombëtarë në prag të referendumit për çështjen e emrit, bëhet me qëllim që qytetarët e papërcaktuar për integrimet e vendit, të binden se Evropa dëshiron që ne të jemi pjesë e saj. Kështu thotë komunukologu Xhelal Neziri.
Të gjitha këto vizita përcjellin një mesazh të qartë se, duhet të lejmë anash rivalitetet ndërpartiake, të lejmë anash konfliktet tjera ndëretnike, pra të lejmë gjithçka anash sepse shansi është i vetëm dhe nuk përsëritet më, andaj dilni votoni në referendumin e 30 shtatorit. Ky është mesazhi që dëshirohet të përçohet te votuesi i thjeshtë dhe te qytetari i Maqedonisë – u shpreh Xhelal Neziti, komunikolog.
Lupço Petkovski nga Eurithink vlerëson se ndikimi i vizitave do jetë i dukshëm në aspekt të nxitjes së qytetarëve për të votuar.
Qëllimi i vizitave është të ju bëhet me dije qytetarëve se i gjithë ky proces dhe referendumi nuk është me rëndësi vetëm për ne por është i rëndësishëm edhe për Evropën dhe se jemi të mirëseardhur atje. Kjo sigurisht që do të ketë ndikim – tha Lupço Petkovski, Eurothink.
Edhe ditëve në vijim priten vizita të funksionarëve të lartë evropian dhe amerikan, megjithatë një gjë e tillë ende nuk është konfirmuar nga organet vendore e as nga të huajat. Ndërkaq edhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati pritet që nesër të mbërrijë në Maqedoni për një vizitë dy ditore.
Besian Leka


