Kim Mehmeti: Siç duke Zaevi sheh e dëgjon vetëm atë që ia lejojnë mafiozët e kriminelët në emër të të cilëve na sundon?!

Kim Mehmeti: Siç duke Zaevi sheh e dëgjon vetëm atë që ia lejojnë mafiozët e kriminelët në emër të të cilëve na sundon?!

Shkrimtari i njohur Kim Mehmeti ka komentuar ngjarjet e fundit në Maqedoni, duke shkuar edhe përtej aferës ‘Zhvatje’ që ka të bëjë me marrjen reketë prej biznesmenëve të këtushëm. Mehmeti shtron edhe pyetje tjera që shpalosin shumë dukuri negative në vend, duke u nisur nga ‘haraçi’ për t’u punësuar e deri te emërimet e gjykatësve që vlerë të vetmen kanë librezat partiake dhe afërsinë familjare me funksionarët e BDI-së.

Ma poshtë ua sjellim komentin e plotë të shkrimtarit Kim Mehmeti të publikuar në faqen e tij to FB:

“A është e mundur që Kryeministri i Maqedonisë të mos ketë dëgjuar se një vend pune në administratën shtetërore kushton prej 3000 – 5000 EU?

Vallë është e mundur që Kryeministrin e Maqedonisë askush të mos e ketë informuar se kryetarët e komunave të BDI-së, ua sheshin pronën shtetërore vetëm partiakëve të vet, si ta kishin atë të trashëguar nga gjyshërit e tyre?

A është e mundur që Kryeministri i Maqedonisë të mos dijë gjë për kryetarët e komunave që u japin leje ndërtimi kompanive ndërtuese pasi ato të kenë pranuar pagesën e ‘haraçit’ të duhur me banesa?

A është e mundur që Kryeministri i Maqedonisë të mos ketë dëgjuar asgjë për gjykatësit që vlerë të vetmen kanë librezat partiake të BDI-së, apo pse janë familjarë të funksionarëve të kësaj partie?

A thua ka mundësi që Kryeministrit të Maqedonisë të mos i kenë bërë përshtypje spekulimet se kur të plagosë deputeti i BDI-së atëherë mjekëve u ndalohet të ta nxjerrin plumbin nga trupi, që të mos mund të dëshmosh se dora e kujt të ka marr në qafë?

A ka mundësi që Kryeministri i Maqedonisë të jetë i vetmi në këtë shtet që nuk ka dëgjuar gjë për zhvatjet që ua bëjnë biznesmenëve të këtushëm edhe disa bashkëpunëtorë të tij të afërt?

Është e mundur vallë që Kryeministri i sotëm i Maqedonisë ende të mos e ketë marrë vesh se në vendin që ai drejton shkon në burg hallexhiu që vjedh një bukë për t’i ushqyer fëmijët, por jo edhe ai që vjedh me miliona euro, e që ato pastaj i ndanë me burrështetas dhe gjykatës special e të rëndomtë?

Dhe nëse për gjitha këto, e për shumë të tjera, Kryeministri i Maqedonisë as ka dëgjuar, e as dinë gjë, atëherë kjo do të thotë se mbase ai dëgjon dhe sheh vetëm atë që ia lejojnë grupet mafioze e kriminale, në emër të të cilëve e drejton shtetin dhe na sundon neve!”, shkruan Kim Mehmeti.