Forcat Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) kanë njoftuar se është rritur prania e tyre në veri të Kosovës, ku ditët e fundit është shënuar përshkallëzim i tensioneve, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e KFOR-it, pas zhvillimeve të fundit mëngjesin e sotëm thuhet se është rritur prania në 4 komunat në veri. “U bëjmë thirrje palëve të përmbahen nga veprimet që do të nxisin ose shkaktojnë tensione”, thuhet në deklaratë.
Më tej në deklaratë u rikujtua se qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.
Sipas KFOR-it, komandanti i forcave është në kontakt me përfaqësues ushtarak të Kosovës dhe Serbisë si dhe me misionin e EULEX-it ndërsa i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të ulur tensionet dhe si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit.
Kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të premten kanë hyrë në ndërtesat komunale me ndihmën e forcave speciale të Policisë së Kosovës, gjë që shkaktoi rritjen e tensioneve mes serbëve të rajonit.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i bëri thirrje ushtrisë dhe forcave të sigurisë të jenë në gatishmëri luftarake. Serbët e Kosovës të shtunën i bënë thirrje Vuçiqit që të pezullojë procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.