Platforma qytetare “Liria Ka Emër” ka falenderuar rreth 100 mijë qytetarë që sot iu bashkuan Marshit për Liri në Prishtinë, duke e shndërruar kryeqytetin në një zë të fuqishëm për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës.
Sipas një njoftimi për media thuhet se qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, nga çdo komunë e Kosovës, si dhe bashkatdhetarë nga diaspora, marshuan sot së bashku, pa dallime, me një mesazh të vetëm: Liri për çlirimtarët!
“Falënderojmë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, bashkëluftëtarët, qytetarët, diasporën, artistët, sportistët, përfaqësuesit politikë, organizatat, bizneset, mediat, vullnetarët dhe secilin që kontribuoi që ky marsh të ishte një manifestim i madh, paqësor dhe dinjitoz. Sot Kosova dëshmoi edhe një herë se kur bëhet fjalë për lirinë, për UÇK-në dhe për njerëzit që morën përgjegjësinë për vendin në ditët më të vështira të historisë sonë, ne dimë të bëhemi bashkë”, thuhet në njoftim.




