Ish-prezantuesja e “Big Brother VIP Kosova”, Jonida Vokshi, ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e edicionit të ardhshëm të reality-shoët, duke i dhënë fund për momentin një kapitulli që e ka shoqëruar për katër vite të rëndësishme të jetës së saj.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Vokshi përmes një postimi në Instagram, ku ka ndarë me ndjekësit një mesazh të ndjerë dhe emocional.
Ajo ka treguar se këtë herë do ta ndjekë spektaklin nga ana tjetër e ekranit, pasi ka vendosur të mos jetë pjesë e sezonit të ri.
“Jo, këtë herë nuk do të jem në Big Brother VIP Kosova”, ka shkruar Jonida, duke konfirmuar kështu atë që tashmë pritej me shumë interes nga publiku.
Në rrëfimin e saj, Vokshi ka kujtuar katër vitet gjatë të cilave “Big Brother VIP Kosova” ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës së saj.
Ajo ka treguar se ky format nuk ka qenë thjesht një angazhim televiziv, por një periudhë në të cilën ka përjetuar disa nga momentet më të rëndësishme personale, duke kaluar nga emocionet e bukura e deri te periudhat më të dhimbshme.
“Big Brother” e ka gjetur atë edhe në një prej etapave më të veçanta të jetës së saj, gjatë shtatzënisë, por njëkohësisht edhe në një prej momenteve më të vështira, kur u përball me humbjen e babait të saj.
“Më ka gjetur shtatzënë, më ka gjetur mes dhimbjes së humbjes së babit tim, më ka dhënë emocionet më të bukura, më të forta.
Më ka parë të rritem e të ndryshoj”, ka shkruar ajo, duke përmbledhur në pak fjalë një periudhë të gjatë dhe të rëndësishme të jetës së saj.
Vokshi ka shprehur mirënjohjen e saj për të gjithë publikun që e ka ndjekur dhe mbështetur gjatë këtyre viteve.
Ajo ka falënderuar ndjekësit për dashurinë dhe përkrahjen, duke lënë të kuptohet se vendimi për t’u larguar nga ky projekt nuk ka ardhur si një mbyllje përfundimtare, por më shumë si nevojë për të marrë pak kohë për veten.
Sipas saj, pas një periudhe intensive pune dhe angazhimesh, tashmë ka ardhur momenti për të ngadalësuar ritmin, për t’i kushtuar më shumë kohë vetes dhe për t’u fokusuar në disa projekte personale që prej kohësh i ka menduar.
“Një kapitull që nuk po e mbyll me pikë. Thjesht po vendos një presje”, ka shkruar Vokshi, duke lënë kështu të hapur mundësinë që në një të ardhme ajo të rikthehet në një formë tjetër pranë këtij projekti apo në televizion.
Në fund të mesazhit të saj, Jonida u ka uruar suksese edhe dyshes që do të jetë në krye të këtij edicioni, Alaudin Hamiti dhe Olsa Muhameti.
Ajo i ka etiketuar të dy dhe u ka uruar që edhe këtë sezon ta bëjnë punën e tyre me të njëjtin profesionalizëm.
“Dini, Olsa, shkëlqeni në këtë edicion, siç dini të bëni më së miri në fund të ditës. Do më mungoni”, ka shkruar ajo në përfundim të postimit.
Largimi i Jonida Vokshit nga “Big Brother VIP Kosova” padyshim se përbën një ndryshim të rëndësishëm për formatin, pasi ajo ka qenë pjesë e pandashme e tij gjatë katër edicioneve.
Prania e saj ndër vite është shoqëruar me shumë momente televizive, ndërsa lidhja që ka krijuar me publikun ka bërë që lajmi për largimin e saj të pritet me interes të madh.
Megjithatë, ajo që ende mbetet e panjohur është se kush do ta zëvendësojë Jonidën në këtë edicion.
Deri tani, as vetë Vokshi nuk ka bërë të ditur emrin e personit që do të marrë vendin e saj, ndërsa detajet rreth prezantuesit apo prezantueses së re pritet të bëhen të ditura në ditët në vijim.
Tashmë vëmendja është kthyer nga edicioni i ri i “Big Brother VIP Kosova” dhe ndryshimet që do të sjellë ai.
Mbetet të shihet se si do të duket formati pa Jonida Vokshin në krah dhe se kush do të jetë personi që do të marrë përsipër këtë rol, ndërsa vetë Jonida duket se ka zgjedhur ta shohë këtë herë spektaklin nga ana tjetër e ekranit, me një kapitull të ri përpara saj./ORAinfo/


