Irani i është përgjigjur kërcënimeve të Donald Trump duke thënë se nëse sulmohen do tu drejtohet armëve bërthamore. Vendet perëndimore kanë akuzuar Teheranin për dekada të tëra se kërkon të marrë armë bërthamore. Por Irani i hedh poshtë këto akuza dhe siguron se programi i tij bërthamor ka qëllime ekskluzivisht paqësore. Në një intervistë për NBC, Donald Trump kërcënoi se do të bombardojë Iranin nëse nuk ka marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit.
“Nëse ata nuk nënshkruajnë një marrëveshje, do të ketë bombardime,” tha Trump.
Ndërsa Ali Larijani, një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, paralajmëroi se nëse SHBA-të zgjidhni bombardimin Iranin do të detyrohet të marrë një vendim tjetër për armët bërthamore.
“Në një moment, nëse ju (SHBA) zgjidhni bombardimin (…) do ta detyroni Iranin të marrë një vendim tjetër për armët bërthamore, Nuk është diçka që ne e dëshirojmë, por nëse Irani sulmohet nuk do të ketë zgjidhje tjetër për sigurinë e tij përveçse të marrë armë bërthamore, sepse populli do ta kërkojë atë për mbrojtjen e tij,” paralajmëroi Ali Larijani, një këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Më herët, Ayatollah Ali Khamenei paralajmëroi se do të kishte një përgjigje të fortë nëse SHBA do të zbatonte kërcënimet e saj.
“Ata kërcënojnë të shkaktojnë dëme (…), nëse kjo ndodh, sigurisht që do të ketë një përgjigje të fortë nga Irani,” tha Ali Khamenei në një fjalim që mbajti në Teheran për fundin e Ramazanit.
Udhëheqësi suprem i Iranit, në pushtet që nga viti 1989, nuk e përmendi Trumpin me emër. Irani kishte përfunduar një marrëveshje në vitin 2015 me grupin P5+1, anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Kina, Rusia, SHBA, Franca dhe Britania) dhe Gjermania, për të kontrolluar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Megjithatë, në vitin 2018, Trump në mënyrë të njëanshme tërhoqi SHBA-në nga kjo marrëveshje dhe rivendosi sanksionet e vendosura nga Uashingtoni kundër Teheranit. Pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar, ai u deklarua i hapur për dialog me Teheranin dhe në fillim të marsit u shkroi një letër udhëheqësve iranianë. Irani njoftoi të enjten se i ishte përgjigjur kësaj letre përmes Sulltanatit të Omanit.
Dje, të hënën, ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se ishte informuar nga Omani se letra kishte arritur në duart e qeverisë amerikane dhe ishte lexuar. Trump po forcon gjithashtu politikën e tij për të ushtruar presion maksimal ndaj Iranit, duke vendosur sanksione shtesë që synojnë të shkatërrojnë eksportet e naftës të Teheranit dhe burimet e tij të të ardhurave.
Të hënën, ai përsëri kërcënoi Iranin me veprime ushtarake, këtë herë për mbështetjen e tij për rebelët Houthi të Jemenit. Nëse Houthi-t nuk i ndalin sulmet e tyre ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit, Trump paralajmëroi se do të kishte një përshkallëzim të bombardimeve amerikane. Ndërsa Presidenti iranian Masoud Peskov përsëriti të dielën se vendi i tij kundërshton negociatat e drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara ndërsa vendi i tij është nën kërcënim. Megjithatë, Teherani është i gatshëm të zhvillojë bisedime indirekte me Uashingtonin, sqaroi Pezheskian.