Nga Mentor Kikia
Kompania e prodhimit të mjeteve ushtarake “Made in Albania”, ka bërë reagimin e parë, pas publikimit të një audio-regjistrimi nga ana e ish zv/kryeminstrit Arben Ahmetaj, ku një nga aksionerët e Timak Defence, Ron Yeffet, supozohet se flet për kontrabandë armësh me disa shtetas të huaj, ndoshta tregtarë armësh në Ukrainë.
Kompania reagoi, duke akuzuar Ahmetajn se po shpif, dhe për prishjen e imazhit do ti drejtohet me padi gjykatës në Zvicër, ku Ahmetaj qëndron në azil.
Por jo vetëm kaq, kompania kërkon që mediat shqiptare të korrigjojnë raportimet e bëra dhe të kujdesen të konfirmojnë lajmet në të ardhmen, pasi nëse përbaltin imazhin, do të përballen me padi edhe ato.
Mbrojtja e një kompanie nga shpifjet është një gjë tërësisht legjitime dhe unë jamë në anën e saj në këtë drejtim. Por, “këshillën” që mediat shqiptare të korrigjojnë lajmet, nuk e kutpoj. Lajmi korrigjohet vetëm kur është i pasaktë.
Por, cili është lajmi i vërtetë në këtë rast?
Për të mos rënë në gabime në të ardhmen, për të mos dëmtuar interesat e një biznesi privat, që punon me fonde publike gjithësesi, dhe për të qenë në rregull me etikën gazetareske, unë mendoj se kompania duhet u japë përgjigje disa pyetjeve, për të qenë në rregull të gjithë:
1-Në lidhje më audio-regjistrimin që publikoi Ahmetaj:
-A e pranon apo distancohet aksioneri Ron Yeffet nga ai regjistrim?
-Nëse regjistrimi është i rremë – akuzë të rremë e quan kompania atë që bëri Ahmetaj-, a është gati z. Yeffet të kërkojë vullnetarisht një ekspertim të audios, edhe nëse prokuroria nuk do të merret asnjëherë me këtë çështje?
Nëse ekspertimi konkludon se zëri në regjistrim nuk është i Z.Yeffet, atëherë mediat duhet ta korigjojnë lajmin.
Nëse rezulton e kundërta, mediat duhet të merren edhe më shumë me këtë çështje.
2-Lidhur me debatin për prodhimin e armëve:
Ministri i Mbrojtjes ka deklaruar në parlament se Shqipëria prodhon dhe shet armë në fronte lufte. Zëvëndësja e tij, në programin televiziv Opinion, tha se ne nuk prodhojmë dhe nuk shesim armë. Edhe Ardi Veliu, drejtori i KAYO, kompania shteterore aksionere me 20 % në Timac Defence, tha se nuk prodhojmë armë, nuk shesin, dhe nuk kemi ndërtuar ende fabrikën.
-A mund të konfirmoni zyrtarisht e përfundimisht: Prodhon armë në Timek apo jo?
-Nëse nuk prodhoni, përse nuk reaguat ju, kur ministri tha se kemi filluar të shesim, kur akoma nuk është ngulur një gozhdë në fabrikë?
-A është e përfshirë kompania në tratativa import-exporti armësh nga vende të tjera?
Kompania po ndërton fabrikën e prodhimit të armëve në Tiranë(sipas Z.Veliu)
-Të prodhosh armë nuk është si të prodhosh moblje. Kërkohet teknologji e lartë, para, ekspertizë, siguri dhe ca marrëveshje të pashkruara mes të fortëve të planetit që kontrollojnë këtë biznes. Me kë kompani dhe vend po bashkëpunon kompania shqiptare për të ndërtuar fabrikën e armëve? A është ai një vend i Nato-s apo jo?
-Çfarë armësh do të prodhojë ajo?
-A ka dizajnuar/krijuar prototipe armësh, pistoleta, pushkë, rraketa, dronë, tanke, avionë?
-A janë regjistuar/patentuar këto marka, apo fabrika do të jetë një filial apo një partner i liçensuar i ndonjë kompanie tjetër?
-Unë nuk mendj se ju mendoni se do të prodhoni pa leje modele të krijuara nga kompani të tjera, si “Baykar Makina Sanayi ve Ticaret A.Ş”, kompnia gjermane “Rheinmetall” apo “Lockheed Martin”. Apo jo?
Ju e dini se iPhone prodhon vetëm Apple ose piratët kinezë.
Birrë Amstel prodhon vetëm “Amsteli” i Amsterdamit dhe fabrikat e tij të liçensuara. Kushdo tjetër, pa lejen e kompanisë, dënohet.
Atlete Adidas prodhon vetëm “Adidasi”, i krijuar që në 1949 në Gjermani, me fabrikat e tij kudo në botë.
3-Lidhur me prodhimin e automjeteve
Tashmë, falë marketingut të jashtëzakonshëm të qeverisë shqiptare, të gjithë e dinë që Timak Defence prodhon kamionë ushtarakë, fuoristrada ushtarake, zjarrfikëse, autoambulanca etj, “Made in Albania”.
Kryeministri e ka deklaruar me bujë këtë ndërsa kishte në krah aksionerët dhe përballë eliten ushtarake të vendit, të cilëve po u dorëzonte mjetet e para prodhim shqiptar.
Tani, pyetjet janë:
-A prodhon vërtet kamionë e makina Timak Defence?
-Fabrika ku janë instaluar linjat e prodhimit, është ajo që u shfaq në Opinion, nga ku është shkëputur edhe fotoja e mësipërme, apo ka ndonjë mjedis tjetër të pa ekspozuar për shkak të sekretit teknologjik?
-Çfarë “emri” ka makina “Made in Albania”? A është regjistruar si markë? A është regjistruar, psh “Shota”?
-Çfarë logoje ka? Sepse në e dimë, BMW ka logon e saj, Audi të vetën, FIAT-i, Ford-i, Volksvagen-i, Toyota po ashtu. Ato kanë shenjat e veta dalluese pra. Po makina “Made in Albania”, çfarë shenje ka?
-Mbi të gjitha, çfarë prodhoni ju konkretisht në fabrikën tuaj? Aksionerja Arjeta Puci, ka pohuar më herët, në një intevistë në Oponion, se në importojmë vetëm motorin, shasinë dhe timonin. Të tjerat i prodhojmë vetë. Edhe pas habisë së Fevziut, ajo tha sërish që “po, pjesët e tjera i prodhojmë në fabrikat tona”.
Nëse është kështu, po e bëj pyetjen pak më ndryshe:
-Kush e skicon modelin, formën aerodinamike, që e dallon një seri makine nga një tjetër?
-Meqë i prodhoni, ku i prodhoni: Kabinën, xhamat e blinduar, pjesët xhenerike, sistemin elektrik, paketën elektronike, fenerët, disqet, sediljet, parakolpin e prapakolpin…? Çdo kompani e madhe i reklamon fabrikat e saj dhe janë në rrjet nëse do ti shikosh.
-Ndërsa kryeministri dhe njëra nga ortaket e kompanisë flet për “Prodhim”, dhe më optimistët dhe dashamirësit flisnin për montim pjesësh të importuara, Ardi Veliu i KAYO foli për “modifikim”, në intevistën e fundit me Blendi Fevziun. Nëse është kështu, a mendoni ju se modifikimi e bën një automjet të një marke tjetër të quhet “Shota” apo thjeshtë “Made in Albania”?
E fundit:
Nëse janë shumë pyetje këto, a mund të bëni një gjë më të thjeshtë? A mund të deklaroni publikisht importet që keni bërë përmes doganës për vitin 2026, të artikujve si: automjete, pjesë këmbimi, apo materiale të tjera me të cilat prodhohen automjete?
Kthehem tek paralajmërimi që u bëni mediave që të tregohen korrekte, ndryshe do të paditen.
Nëse ju u pëgjigjeni këtyre pyetjeve, besoj se gazetarët do të kenë një ide më të qartë dhe më shumë informacion. Ndryshe, ku mund ta marin ata informacioni, përvese nga qeveria, që sillet si zyrë marketingu?
Deri në marrjen e informacioneve nga ana juaj, gazetarët mund të vënë çdo informacion në dyshim, edhe ato që vijnë nga përgjime misterioze, edhe ato që vijnë nga zyra e qeverisë.
Dhe lajmet padyshim që duhen konfirmuar. Psh, kur kryeministri i dorëzoi uahtirsë 40 kamionë e makina të “prodhuara në Shqipëri”, mediat e dhane lajmin me bujë: Shqiperia prodhon makina ishtarake. Por asnjë gazetar nuk pyeti: Po ku prodhohen makinat?
Siç doli tashmë, kjo nuk ishte e vertetë.
Ju vërtet jeni nje biznes 80% privat. Por punoni vetem me fonde publike. Dhe publiku duhet të dijë, psh, sa ia shisni ju qeverise një fuoristradë “Toyota” thjështë të modifikuar dhe të prezantuar si, “Made in Albania”?
Por, për këtë duhet ti kërkojmë llogari qeverisë më shumë.
The post Gazetari: “TIMAK Defence”, para se të kërcënoni median, tregoni se çfarë bëni! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



