Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka kërcënuar SHBA se do të marrë një goditje të fortë nëse bombardon Teheranin.
Deklarata vjen pas kërcënimit nga ana e Trump se Irani do të bombardohet nëse nuk e pranon ofertën e tij për një marrëveshje të re bërthamore të përshkruar në një letër dërguar udhëheqjes së Iranit në fillim të marsit. Në letër thuhej se Iranit i është lënë afat dy-mujor për të marrë një vendim.
“Armiqësia nga SHBA-ja dhe Izraeli ka qenë gjithmonë aty. Ata kërcënojnë se do të na sulmojnë, gjë që ne nuk mendojmë se është shumë e mundshme, por nëse ata bëjnë ndonjë të keqe, me siguri do të marrin një goditje të fortë reciproke. Dhe nëse ata mendojnë të shkaktojnë trazira brenda vendit si në vitet e kaluara, vetë populli iranian do të merret me ta”, është shprehur Ayatollah Ali Khamenei.
Presidenti Masoud Pezeshkian ka deklaruar se Teherani nuk do të hynte në negociata të drejtpërdrejta me Uashingtonin, por ishte i gatshëm të vazhdonte bisedimet në mënyrë indirekte sipas një urdhri nga Khamenei.
“Një kërcënim i hapur për ‘bombardim’ nga një kryetar shteti kundër Iranit është një fyerje për vetë thelbin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare” , deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit.
Teksa planifikon të vendosë tarifa për një sërë vendesh, Trump i dërgoi një paralajmërim Iranit për tarifa shtesë nëse Republika Islamike nuk arrin një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara mbi programin e saj bërthamor.
Në mandatin e tij të parë, Trump tërhoqi SHBA-në nga një marrëveshje e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore dhe vendosi kufizime të rrepta për aktivitetet bërthamore të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Ndër të tjera, autoritetet iraniane fajësojnë Perëndimin për trazirat e fundit, duke përfshirë protestat e viteve 2022-2023 për vdekjen në paraburgim të Mahsa Amini, një gruaje të re të arrestuar për shkelje të dyshuar të rregullave të hixhabit.
Klan News