Instituti për Shëndet Publik ka publikuar rezultatet e hulumtimit mbi përdorimin e substancave psikoaktive tek të rinjtë, ku janë përfshirë edhe përdorimi i duhanit dhe alkoolit. Sillvana Onçeva tha se numri i të rinjve që kanë konsumuar duhan ka shënuar rënie në krahasim me rezultatet nga hulumtimet paraprake. Sa i përket përdorimit të alkoolit, vërehet dallim i madh tek të rinjtë e bashkësive të ndryshme etnike.
“Edhe më tej, shqiptarët dhe turqit kanë shumë pak kontakt me alkoolin në këtë moshë, për dallim nga pjesëtarët e komuniteteve tjera. Megjithatë, vërehet një rënie e vogël e nivelit të përdorimit të alkoolit tek të rinjtë. Gjithsej 57 për qind nga të rinjtë kanë konsumuar alkool të paktën një herë në jetë, ndërkohë që në muajin e fundit, kjo përqindje është 38 për qind”, ka thënë Silvana Onçeva, Instituti për shëndet publik.
Hulumtimi në fjalë, është bërë në kuadër të projektit të asociacionit evropian për hulumtimin e përdorimit të alkoolit dhe drogës tek të rinjtë, ESPAD. Krahasuar me vendet tjera, në Maqedoni është posaçërisht shqetësues treguesi për përdorimin e sedativëve.
“14 për qind nga të rinjtë e moshës 15-16 vjeçare, kanë shfrytëzuar sedativë me udhëzim të mjekëve, ndërsa rreth 11.5 për qind nga të rinjtë kanë shfrytëzuar sedativë pa udhëzim mjekësor, pra në të zezë. Kjo shënon rritje në krahasim me hulumtimet e mëparshme. Nëse në vitin 1999 ishte 6.8 për qind, tanimë është mbi 11 për qind”, ka shtuar ajo.
Hulumtimi është bërë gjatë vitit 2015 në 82 shkolla të mesme në gjithë Maqedoninë, ndërsa janë anketuar gjithsej 2430 nxënës të moshës 15-16 vjet.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Hulumtim, të rinjtë heqin dorë nga duhani by tvshenjaofficial