Pas ngjarjes tragjike që ndodhi në një shkollë në Graz të Austrisë, ku humbi jetën Lea Ilir Bajrami, ka reaguar familja e saj.
Muhabi Bajrami, familjar i të ndjerës, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar për humbjen e mbesës së tij, duke e përshkruar këtë moment si jashtëzakonisht të rëndë për familjen.
“Me zemër të thyer dhe me dhimbje të madhe njoftojmë familjarët, miqtë dhe të afërmit se mbesa jonë, Lea Ilir Bajrami, humbi jetën tragjikisht në sulmin e ndodhur në Graz të Austrisë.
Lutemi për shpirtin e saj dhe shprehim falënderime për të gjithë ata që ndajnë dhimbjen tonë në këto çaste të vështira”, shkroi Bajrami.
Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik në Austri dhe më gjerë, ndërsa autoritetet atje po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, konfirmoi se autori i sulmit ishte një 21-vjeçar, ish-nxënës i shkollës, i cili e kishte lënë shkollën pa e përfunduar.
Pas kryerjes së aktit, ai kreu vetëv*rasje në vendin e ngjarjes.
Përveç viktimave, 12 persona të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit të sulmit janë ende në zhvillim.
Në shenjë zie, kancelari austriak Christian Stocker ka shpallur tre ditë zie kombëtare, ndërsa nesër në orën 10:00 pritet të mbahet një minutë heshtje në të gjithë vendin.
Lidhur me këtë tragjedi ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Shkollat duhet të jenë vend ku fëmijët ëndërrojnë, mësojnë e rriten, e jo vend i dhunës dhe terrorit,” shkroi ajo./Telegrafi/