Sekretari Organizativ i Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Nebi Rexhepi, në emisionin Debat në Shenja lidhur me zhvillimet e fundit me emërtimet e rrugëve dhe shesheve, kundërshtoi pretendimet se vendimi i Këshillit Komunal i vitit 2007 nuk ishte miratuar sipas procedurave ligjore.
Rexhepi theksoi se vendimi i sjellë në vitin 2007 është miratuar me parimin e Badenterit, duke demantuar deklaratat e bëra nga Driton Sulejmani se procedura nuk ishte respektuar.
“Vendimi i Këshillit Komunal i sjellë në vitin 2007 është sjellë me Badenter”, deklaroi ai.
Duke komentuar rikthimin e emrave të mëparshëm si “Marshall Tito”, “Radova” dhe “29 Nëntori”, Rexhepi tha se ky proces ka ardhur si rezultat i një ankese të paraqitur nga një shoqatë, e cila më pas ka çuar në procedurat institucionale që prodhuan vendimin.
Ai kritikoi edhe veprimet e qeverisë, duke akuzuar kryeministrin se po zbaton premtimet e tij politike në dëm të shqiptarëve.
“Kryeministri nuk bën asgjë përveç se zbaton atë që premtoi, se Maqedoninë do t’ua kthejë maqedonasve”, u shpreh Rexhepi.
Sipas tij, koalicioni VLEN nuk ka kapacitet të ndalojë vendime që ai i cilësoi si antishqiptare, duke argumentuar se vendimi për emrat e rrugëve është vetëm një në një seri zhvillimesh të ngjashme.
“VLEN nuk ka fuqi të parandalojë as edhe një vendim antishqiptar, nga disa vendime që i kanë paraprirë këtij vendimi. I ka paraprirë dënimi i Shkëndijës. Dhe kjo që ndodhi dje është vetëm kupola, e cila nuk e dimë ku do ta ketë fundin”, deklaroi Rexhepi.


