Në Maqedoninë e Veriut në vitet e kaluara arritëm që të bëjmë ndryshim thelbësor shoqëror. Duke u nisur nga gjendja e një shteti të robëruar, siç e definonte Komisioni Evropian në vitin 2016, u bëmë shembull i ndritshëm në rajon, por edhe më gjerë, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, i cili është bashkënikoqir i ngjarjes së sotme rajonale promovuese të programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës „Horizontal facility“ për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në fazën e dytë.
Dimitrovi theksoi se fillimi i pritur i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të tregojë në praktikë se si një vend mund të ndryshohet në thelb dhe të avancohet.
“Dëshmuam se me vullnet politik dhe lidership mund të tejkalohen çështjet e rënda të hapura me fqinjët, por edhe me guxim u lëshuam në agjendën vendore të reformave, me qëllim që të sigurojmë jetë evropiane në vend, e jo jashtë kufijve të rajonit”, tha shefi i diplomacisë.
Sa i përket programit „Horizontal facility“ thotë se qëllimi është sigurimi i standardit më të mirë jetësor dhe mënyrës evropiane të jetësës për qytetarët.
“Programi i përbashkët jep mundësi që t’i përcaktojmë sferat në të cilat vendet tona kanë nevojë për mbështetje të mëtutjeshme në proceset vendore të reformave përmes përfshirjes aktive të përdoruesve me qëllim arritjen e standardeve evropiane”, tha Dimitrov.
Ai informoi se në kuadër të fazës së parë të programit, 80 për qind e personelit në burgje i kanë rritur njohuritë dhe aftësitë nga temat për të drejtat e njeriut, ndërsa është vendosur edhe mekanizëm i policisë për mbikëqyrje të jashtme në lidhje me punën e policisë.
Me projektin për mbështetje të qasjes së përforcuar deri te shërbimet për ndihmë juridike falas me cilësi më të lartë, Dimitrovi sqaroi se ishin zbatuar analiza juridike për Ministrinë e Drejtësisë në procesin e finalizimit të ligjit për ndihmë juridike falas.
“Me aksionin Luftë kundër krimit ekonomik, ishte bërë progres nga vendosja e regjistrit për pronësi përdoruese. Në kuadër të aksionit për parandalimin dhe luftën kundër tregtisë me njerëz po zbatohen trajnime të përafërsisht 90 për qind të inspektorëve të punës në vend, derisa propozim ligji për fond shtetëror për kompensim për viktima të krimeve të dhunës është në fazën përfundimtare të përgatitjes”, tha Dimitrov.
Kolin Volf nga Komisioni Evropian, thotë se instrumenti horizontal sikur të mos e thekson deri në fund faktin se po punohet në një çështje shumë të rëndësishme, siç është sundimi i së drejtës, dhe pa të cilën njerëzit nuk mund të kenë jetë normale.
Sundimi i së drejtës, siç theksoi, është me rëndësi të madhe për secilin individ, për të gjitha grupet, për demokracinë, institucionet demokratike, mbështetjen e institucioneve demokratike, një nga konceptet më të rëndësishme në të cilin duhet të besojmë.
“Instrumenti horizontal punon në këto çështje, të cilat janë të rëndësishme për shumë aspekte në lidhje me jetën shoqërore dhe pritjen e qytetarëve nga liderët e tyre. Kjo është e rëndësishme edhe për rritje të suksesshme ekonomike sepse disa subjekteve iu nevojitet siguri gjatë sundimit të së drejtës. Njerëzit duhet ta dinë se janë të mbrojtur, dhe kjo është e rëndësishme për menaxhim me shumë sfida të cilat janë të pranishme në vendet tona, si për shembull që të mbesin të rinjtë në rajon. Në bazë të këtij parimi mund të krijojmë Evropë të koncentruar në vlerat të cilat i përmbush dhe i zbaton”, tha Volf.
Volf përkujtoi se Komisioni Evropian rekomandon që të hapen negociatat për anëtarësim me vendin tonë dhe me Shqipërinë, dhe shpreson se do të sillet vendim pozitiv javën e ardhshme në Këshillin e Ministrave dhe në Këshillin e Evropës.
Ai e uroi Maqedoninë e Veriut për të gjitha përpjekjet të cilat i ndërmerr për të gjitha temat në të cilat flitet në konferencën rajonale.
Në kuadër të ngjarjes, pjesëmarrësit kanë mundësi që të marrin pjesë në punën e punëtorive paralele tematike, prej të cilave secila mbulon tema nga katër sferat kryesore tematike: sigurim të drejtësisë (burgje dhe polici; drejtësi dhe të drejta të njeriut); lufta kundër korrupsionit, krimi ekonomik dhe pastrim i parave; lufta kundër diskriminimit dhe mbrojtjes së grupeve të ndjeshme (arsim, të drejtat e njeriut dhe parandalimi diskriminimit; tregtia me njerëz) dhe liria e shprehjes dhe mediat.



