“Siguria në shkolla nuk negociohet” – ishte ky mesazhi i ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, në takimin për Paketën e Sigurisë në Shkolla, zhvilluar në Bashkinë Kamëz, ku theksoi angazhimin e institucioneve për garantimin e një mbrojtjeje të plotë për fëmijët në të gjithë vendin. Kjo bashki ka rreth 20 mijë nxënës dhe falë investimeve në vitet e fundit, ka një rrjet infrastrukturor shkollor modern.
“Ne jemi sot katër ministra në takim, që të ofrojmë një mbrojtje dhe siguri të plotë 360 gradë për fëmijët në vendin tonë”, deklaroi Demo, në bashkëbisedimin me nxënës, mësues e prindër, ku ishin të pranishëm ministrja e Arsimit, Kumbaro, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Spahiu, ministri i Bujqësisë, Salla dhe kryetari i bashkisë, Suli.
Ai nënvizoi se siguria nis brenda ambienteve të shkollës dhe vijon me garantimin e sigurisë në perimetër, cilësinë e ushqimit në institucionet ku ofrohet ky shërbim dhe mirëqenien fizike të nxënësve.
Ministri theksoi se Paketën e Sigurisë në Shkolla e zbaton tashmë çdo shkollë në të gjithë territorin, ndërsa Policia e Shtetit po e shoqëron atë me veprime konkrete, veçanërisht në garantimin e sigurisë në perimetrin e institucioneve arsimore. “Ka zero tolerancë për sa i përket akteve apo veprimeve që mund të vënë në rrezik mirëqenien e fëmijëve tanë”, tha Demo, duke theksuar se objektivi është krijimi i një mjedisi të qetë dhe të sigurt, ku nxënësit të mund të përqendrohen te mësimi dhe të japin maksimumin e tyre.
Sipas ministrit, Paketa e Sigurisë në Shkolla nuk është vetëm një mekanizëm reagimi, por një sistem i bashkërenduar parandalimi, ku komunikimi mes oficerëve të sigurisë, psikologëve, mësuesve, policisë dhe prindërve është thelbësor për identifikimin dhe parandalimin në kohë të çdo fenomeni negativ. Duke iu referuar angazhimit të Policisë së Shtetit, Demo e cilësoi sigurinë në shkolla si “vijën më të kuqe të mundshme”, duke garantuar se çdo element që cenon sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve do të trajtohet me zero tolerancë.
“Ka zero tolerancë dhe është vija më e kuqe e mundshme që Policia e Shtetit tashmë ka vendosur për sa i përket garantimit të të gjithë atyre elementëve që duhet ta bëjnë një prind, një familje të qetë dhe mbi të gjitha të sigurt për të ardhmen e fëmijëve të tyre ku shkojnë në ambientet e shkollës”, u shpreh ministri.
Demo vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes institucioneve qendrore dhe vendore, duke theksuar se zbatimi i Paketës së Sigurisë në Shkolla kërkon angazhim të përditshëm dhe përmirësim të vazhdueshëm përmes komunikimit me të gjithë aktorët e përfshirë.
The post Bashkëbisedimi në Kamëz, Demo: Siguria në shkolla nuk negociohet, zero tolerancë ndaj çdo rreziku për fëmijët appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


